Më 9 maj, një mësues matematike i një shkolle 9-vjeçare në Kashar, në Tiranë, u arrestua me denoncimin e një nxënëseje të tij për ngacmim seksual. Sipas dëshmisë së vajzës 14-vjeçare, mësuesi e mbante pas mësimit, e puthte në buzë dhe e prekte në zonat intime.

Nëna e vajzës duke dashur që të jape një mesazh për problemin ka treguar publikisht historinë duke dhënë shembullin më të mirë sesi një familje duhet të sillet para një rasti të tillë.

“Ne mësuesin e njihnim sepse i kishte dhënë mësim edhe vajzës së madhe. E konsideronim person me autoritet, kërkonte rregull në shkollë, e respektonim. Ishte diçka e pabesueshme. Unë i kisha thënë disa herë në mbledhje me prindërit për vajzën që në shtëpi është fëmija im, këtu është fëmija yt”, ka thënë e prekur zonja në studion televizive të Rudina Magjistarit.

Ajo ka treguar sesi prej kohësh vinte re që vajza ishte e mërzitur, kishte ndryshuar dhe e pyeste çfarë kishte. Kështu ajo i tregoi që mësuesi i matematikës i dërgonte mesazhe në FB, e shqetësonte dhe filloi të qante.

“Aty e kuptova çfarë kishte ndodhur, nuk ishte nevoja të fliste më. U shtanga, por pas shtangies duhet t’i gjenim një zgjidhje. “Tani më ke mua. Ti je më e fortë sesa ai”, i thashë vajzës dhe në atë çast ajo krijoi besimin për të treguar gjithçka. Doja të mos mbetej me një përballje personale. Unë e quajta krim dhe nuk mund ta lija pa ndëshkuar”, ka treguar nëna e 14-vjeçares.

“Përditë kur e nisja vajzën në shkollë, isha në ankth. Ishte e vështirë sepse duhet të shtiresha si kur nuk kishte ndodhur asgjë dhe ta fshihja nga bashkëshorti. Nuk doja t’ia tregoja pa pasur një provë sepse ai do shqetësohej shumë dhe mund të ishte përballur para kohe me mësuesin”, ka thënë gruaja e ftuar në studio. Kështu ajo nisi të mendonte sesi do mund të siguronte një provë.

“Vajza i kishte bërë block në FB. I thashë që t’i bënte ç’bllok, ajo i shkruajti dhe ai pastaj filloi t’i fliste si më parë në sytë e mi. Mora fjalën që deshëm, ndjeva një trishtim të madh kur i lexoja, por dhe një çlirim, sepse tani mund të veproja. I thashë bashkëshortit në mbrëmje dhe të nesërmen kemi bërë denoncimin në polici”, ka treguar ajo që për asnjë çast, edhe pse kjo ishte një tronditje e madhe, nuk mendoi ta mbante të fshehtë. Mamaja e nxënëses ka thënë që shumë njerëz, sidomos në zonat periferike si ato, heshtin sepse kanë frikë që njerëzit do flasin keq për ta.

“Por unë nuk mund ta mbaja të fshehtë dhe të mos mbroja vajzën time. Shikoja dhe vajzat e tjera, thosha “mirë unë do e heq nga shkolla, po të tjerat?” Vajza ime e gjeti fuqinë, po sikur të ishte dikush tjetër që nuk do e gjente fuqinë?”, ka thënë ajo. Mamaja e vajzës ka treguar që mori parasysh edhe mundësinë që vajza nuk i kishte treguar gjithçka për shkak të sedrës. “E bëri denoncimin vetëm me psikologët. Kështu mund të tregonte gjithçka”, tha ajo duke zbuluar që mësuesi nuk kishte arritur të shkonte më tej sesa prekjet dhe puthjet. “Për mua kaq sa ka bërë është krim. Më ka prekur fëmijën”, ka thënë ajo.

Mesazhi i nënës
Nëna e vajzës që denoncoi mësuesin kishte një thirrje “Inkurajoj vajzat të flasin me prindërit. Askush nuk është më i fortë sesa ato. Nëse heshtin do jenë të mposhtura gjithmonë. Të gjejnë forcën të flasin sepse fjala e tyre vlen. Mund të mos vlejë për disa, por vlen për shumicën. Do e ndiejnë veten më mirë, si vajza ime që tani ndihet e çliruar. Uroj që ky të jetë rasti i fundit”, ka thënë ajo duke mos i mbajtur dot ngashërimat, ndërsa kishte thënë që, mendonte që çdo nënë mund ta gjente forcën për të folur, për të mbrojtur fëmijën e saj. Mësuesi aktualisht, me ç’dihet, gjendet në arrest.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com