Aktivizohen planet e emergjencës, spitalet dhe shërbimi i Urgjencës Kombëtare në gjendje gadishmërie. Masat për emergjencën, shtohen masat e kontrollit për monitorimin e ujit të pijshëm për ruajtjen e shëndetit publik.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka urdhëruar aktivizimin e planit të gatishmërisë shëndetësore si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga moti i keq që ka përfshirë të gjithë vendin. Të gjitha strukturat shëndetësore kanë aktivizuar planet e emergjencës, duke siguruar shtim të kapaciteteve në rast nevojë për të përballuar një rritje të sëmundshmërisë apo ngjarjeve të tjera që kanë lidhje me situatën e krijuar; sigurimin e barnave dhe materialeve mjekësore për çdo fluks potencial emergjence; sigurimin e energjisë, ujit dhe ngrohjes së spitaleve.

Njësia e helikopterëve është në gadishmëri të plotë për çdo ndërhyrje të nevojshme. Ministrja Manastirliu ka urdhëruar gjithashtu strukturat e shëndetit publik të marrin masa për ofrimin e shërbimit shëndetësor për popullatën që evakuohet/zhvendoset si pasojë e situatës së krijuar. Nga ana tjetër, drejtoritë e shëndetit publik po monitorojnë situatën në kuadër të garantimit të masave për shëndetin publik.

Situata në spitale është nën kontroll dhe të gjitha strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, janë në gadishmëri për të përballuar çdo emergjencë të mundshme, pasojë e motit të keq që ka përfshirë të gjithë vendin. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com