Një ditë më parë, në zyrat e kompanisë MABCO Constructions, investitori kryesor në koncesionin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, mbërriti vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për nisjen e procedurës së zgjidhjes së kontratës së koncesionit, pasi nuk janë përfunduar punimet.

“Me keqardhje, nuk mund t’i pranojmë pretendimet e Autoritetit Kontraktor. MIE thotë se punimet nuk janë përfunduar, por hesht për arsyen pse ato nuk janë përfunduar. Nuk mund ta ndalosh dikë të punojë dhe më pas ta dënosh sepse puna nuk u përfundua”, tha avokati Arlind Ahmetaj.

Kompania e drejtuar nga Behgjet Pacolli pretendon se prej afro një vit është përjashtuar në mënyrë të paligjshme nga aeroporti dhe se institucionet kanë heshtur.

“Për gati një vit, MABCO, ortaku që zotëron 98% të kuotave në VIA, është mbajtur nga autoritetet shtetërore jashtë kantierit të aeroportit. Për këtë ekzistojnë mbi 90 shkresa drejtuar MIE-së, në të cilat gjithçka i është bërë e qartë. Megjithatë, institucionet vendosën t’i injoronin ato në mënyrë të paligjshme”, thotë avokati.

Problemet për kompaninë koncensionare nisën kur në sipërfaqe dolën përplasjet mes dy ortakëve, Mabco-s së Pacollit dhe 2A Group të Valon Ademit. Palët nisën një sagë gjyqësore nëpër gjykatat e vendit, në thelb të të cilave ishin pikërisht kuotat e aksioneve. Në këtë përplasje, sipas Mabco-s, shteti shqiptar zgjodhi të bëhej palë me kompaninë tjeter 2A Group. Ndërsa në kantierin e aeroportit, nuk munguan dhe përplasjet.

 Përqësuesi i Pacollit, Agon Pacolli thotë se kompania ka investuar miliona euro në aeroport.

“MABCO ka një ekspozim financiar 320 milionë euro, nga të cilat 13 milionë euro kaluar në llogarinë e VIA,  95 milionë euro investim material”, thotë Agon Pacolli.

Përmes avokatit Arlind Ahmetaj, MABCO deklaron se do të ndjekë të gjithë hapat ligjor për të fituar të drejtën mbi këtë investim.

“MABCO bëri gjithçka të mundur për të shmangur arbitrazhin ndërkombëtar. Për rreth një vit, ajo duroi të gjitha padrejtësitë e paimagjinueshme. MABCO do të ushtrojë të gjitha të drejtat dhe mjetet juridike që burojnë nga ligji, Kontrata e Koncesionit, Marrëveshja Dypalëshe për Mbrojtjen e Investimeve Shqipëri–Zvicër dhe të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë”.

 Aeroporti i Vlorës i cili nisi punimet në nëntor të vitit 2021, duhet të ishte zyrtarisht në funksion që në muajin shkurt të këtij viti. Ministri i Infrastrukturës  Enea Karakaçi më 29 maj u ofroi palëve edhe 30 ditë kohë për zgjidhjen e konfliktit mes tyre. Një përpjekje që rezultoi pa ndonjë efekt.