Një takim me një simbolikë të veçantë u zhvillua të enjten në Shtëpinë e Bardhë, ku liderja e opozitës venezueliane, María Corina Machado, i dhuroi Donald Trumpit medaljen e Çmimin Nobel për Paqe që e fitoi në vitin 2025, një veprim që nxiti debat dhe reagime në arenën ndërkombëtare.

Trump e konfirmoi takimin përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar Machadon si “një grua të jashtëzakonshme” dhe gjestin e saj si “një shenjë respekti të ndërsjellë”, shkruan BBC.

“Ishte një nder i madh të takoja sot María Corina Machadon nga Venezuela. Ajo është një grua e jashtëzakonshme që ka kaluar shumë vështirësi. María më ofroi Çmimin e saj Nobel për Paqe për punën që kam bërë. Një gjest kaq i bukur respekti të ndërsjellë. Faleminderit, María!”, tha ai.

Edhe vetë Machado e konfirmoi takimin, duke deklaruar se gjatë takimit dhe drekës që pati me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë pa praninë e gazetarëve, ajo ia dorëzoi medaljen e Çmimit Nobel për Paqe.

“Ia dorëzova presidentit të Shteteve të Bashkuara medaljen, Çmimin Nobel për Paqe”, tha ajo, duke e lidhur këtë veprim me një precedent historik nga Amerika Latine.

Sipas saj, ajo iu referua Simón Bolívarit dhe faktit se, dyqind vjet më parë, markezi de Lafayette i kishte dhuruar atij një medalje me portretin e George Ëashingtonit, të cilën Bolívari e mbajti gjatë gjithë jetës së tij.

“Dyqind vjet më vonë, populli i Bolívarit ia kthen trashëgimtarit të Ëashingtonit një medalje, në këtë rast Çmimin Nobel për Paqe, si njohje e angazhimit të tij unik për lirinë tonë”, u shpreh Machado.

Komiteti Norvegjez i Nobelit ka sqaruar se Çmimi Nobel për Paqe nuk mund të dhurohet apo të transferohet, çka krijon një çështje institucionale lidhur me simbolikën e këtij veprimi.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi takimin, duke theksuar se presidenti Trump bëri një “vlerësim realist” të mbështetjes popullore që gëzon Machado, pa u përcaktuar megjithatë ndonjë afat për zhvillimin e zgjedhjeve në Venezuelë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, kishte deklaruar më herët se zgjedhjet nuk do të ishin temë diskutimi gjatë darkës, ndërsa Trump synonte kryesisht të informohej mbi situatën në vend.

Pas takimit, Machado deklaroi se “ne gjithmonë do të mund të mbështetemi te presidenti Trump për lirinë e Venezuelës”, duke e cilësuar takimin si “të mrekullueshëm”. Politikania, e cila u largua së fundmi nga Venezuela ku kishte qëndruar e fshehur për muaj të tërë, synon të sigurojë një rol të ardhshëm në qeverisjen e vendit të saj, ndërsa gjesti me Çmimin Nobel merr një karakter të qartë politik dhe simbolik.