Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka kërkuar bashkëpunimin e opozitës për finalizimin e Reformës Zgjedhore brenda korrikut të këtij viti.
Komentet Balla i bëri teksa foli në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, ku diskutoi një sërë çështjesh, që nga procesi i integrimit të vendit në BE, te reforma zgjedhore dhe ndryshimet në ligjin për funksionimin e Kuvendit.
Balla tha se duhet të përmbyllet procesi i depolitizimit të administratës zgjedhore, teksa shtoi se Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
Sipas Ballës, është e papranueshme për një vend që synon anëtarësimin në BE, që partitë që votohen të numërojnë edhe votat e tyre.
Por Balla nuk u ndal vetëm këtu. Ai ripërsëriti ambicien e PS për një reformë më të thellë, e cila synon të përfshijë edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në të paktën 101 deputetë.
“Në një nga të dielat mes 15 prillit – 15 majit 2027, Shqipëria do të mbajë zgjedhjet e radhës vendore.Të hënën Kuvendi i Shqipërisë fillon sesionin e tij të dytë të kësaj legjislature; në vjeshtë, Presidenti i Republikës do të dekretojë edhe datën e Zgjedhjeve Vendore 2027.
E pra, një detyrë tjetër kryesore dhe e përbashkët me opozitën, nëse ata duan të përfshihen, përgjatë këtij sesioni të dytë të kësaj legjislature deri në fund të korrikut, duhet të jetë finalizimi i Reformës Zgjedhore.
Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, ku përparësi të veçantë në vlerësimin tonë sikurse e ka thënë kryetar i Rama në asamble, ka depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore. Duhet të marrë fund kjo qasje e papranueshme për një vend anëtar të BE-së: partitë votohen, partitë numërojnë dhe votat e tyre.
Gjithashtu, të gjithë ia themi njëri-tjetrit majtas-djathtas, në ato netët pafund të numërimit në pallatet e sportit apo palestrat e shkollave, dhe me deputetët e opozitës e bejmë këtë bisedë sa herë kemi zgjedhje. Dhe këtu duhet ta ripërsërisim me zë të lartë nevojën e nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve në një kohë më të shkurtër, pse jo, të mos kryhet numërimi në qendrat e votimit.
Fakti është se, qoftë për komisionet zgjedhore partiake, qoftë për vonesën në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, koha nuk pret më as për zgjedhjet vendore 2027.
Reforma zgjedhore, sa i përket Kodit Zgjedhor, kërkon të paktën 84 vota në Kuvend. Por ne e kemi bërë publike ambicjen tonë për një reformë më të thellë, e cila të përfshijë edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në të paktën 101 deputetë.
Ndërsa jemi të gatshëm të diskutojmë edhe propozime të tjera të natyrës kushtetuese për Kuvendin e Shqipërisë, si vend anëtar i BE-së. Reforma e fundit administrative-territoriale u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë më 31 korrik 2014, vetëm me votat e shumicës dhe të një pjese të opozitës që pranoi të bashkëpunonte.
Pas tre mandatesh, në zgjedhjet vendore 2027 duhet të shkojmë me ndarjen e re administrative-territoriale. Prandaj, komisioni i posaçëm parlamentar i Reformës Administrative Territoriale duhet të sjellë për votim brenda kësaj legjislature ndarjen e re, e cila të udhëhiqet nga nevoja e thellimit të reformës aktuale, duke reflektuar dhe ndryshimet shumë domethënëse të këtyre viteve, që nga demografia por edhe te teknologjia, me fokus kryesor gjithmonë mirëpërgatitjen e nivelit tonë vendor për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, ku duhet të kemi pa asnjë mëdyshje një cilësi të re të proceseve të qeverisjes vendore.
Komisioni i kësaj reforme, i referohem komisioneve të posaçme, duhet të punojë me të njëjtin intensitet si komisionet e përhershme, duke intensifikuar konsultimet publike. Duhet ta bëjmp të qarte sot se formulën e bashkëdrejtimit të këtij komisioni dhe të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore e kemi miratuar me dakordësi. Por, në asnjë rast, nuk kemi dhënë dakordësi për të mos bërë asgjë.
Ne jemi gati t’ju dëgjojmë në respekt të atyre që ju kanë zgjedhur, por ne nuk do të jemi asnjëherë të gatshëm të presim këdo qoftë, as edhe një minutë, nëse nuk doni të punojmë së bashku, qoftë për këto dy reforma, qoftë për reforma të tjera. Nuk kemi asnjë ditë për të humbur”, tha mes të tjerash Balla.
Balla ka thënë po ashtu se objektivi kyç i qeverisë së kryeministrit Edi Rama është futja e Shqipërisë në BE para 28 nëntorit të vitit 2030. Ai shtoi se mbyllja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE duhet të bëhet brenda vitit 2027.
Ai vijoi më tej duke thënë se PS do të kërkojë në pranverën e vitit 2029 mandatin e pestë qeverisës te shqiptarët, teksa shtoi se Shqipëria nuk ka qenë kurrë më afër me BE-në sesa sot.
“Qeveria jonë dhe grupi ynë parlamentar po e nisin këtë sesion parlamentar me bindjen tonë të palëkundur se misioni ynë kombëtar i bashkimit të plotë me Europën, s’ka qenë kurrë i qartë dhe më afër sesa sot.
Detyra e secilit prej 83 mandateve tona, s’ka qenë kurrë më e qartë sesa sot, nesër dhe për çdo ditë në 40 muajt në vijim, deri kur diku mes pranverës së vitit 2029 t’i kërkojmë popullit shqiptar mandatin tonë të pestë qeverisës, bashkë me kryeministrin tonë Edi Rama. Përgjatë kësaj kohe, 3 janë sfidat tona për Shqipërinë 2030. E para të mbyllim negociatat për anëtarësim në BE në fund të vitit 2027.
E dyta të mundësojmë ratifikimin në 27 parlamentet e vendeve anëtare të vendimit të KE-së për anëtarësimin e Shqipërisë në BE gjatë vitit 2028. Mundësisht këtu para zgjedhjeve për parlamentin europian në maj të vitit 2029. Dhe e treta që ta kemi ngritur deri në 28 nëntor 2030 flamurin tonë kuqezi në oborrin e familjes tonë europiane”, tha Balla.
Lajmi kryesor:
‘Siguria ushqimore, e ulët’, Rama: Po përpiqemi të negociojmë me BE plotësimin e kushteve deri në 5 vite pas anëtarësimit! Porosi grupit të PS: Mos falni askënd











