Gjatë një fjalimi në Asamblenë Rajonale të Korsikës, Presidenti francez, Emmanuel Macron, propozoi një tekst kushtetues që do t’i jepte autonomi Korsikës brenda shtetit francez.
“Nuk do të jetë autonomi kundër shtetit, as autonomi pa shtetin, por autonomi për Korsikën dhe brenda republikës”, tha Macron.
Ky propozim unik vjen pas diskutimeve disamujore mes qeverisë dhe liderëve politikë vendorë. Ajo kulmoi të mërkurën në një darkë në prefekturën e Ajaccio, ku të gjithë hodhën letrat e fundit në tryezë. Diskutimet filluan pas një shpërthimi të dhunës në ishull në vitin 2022.
Macron nuk tregoi detaje të tjera se cilat kompetenca mund të transferoheshin nga Parisi në një Korsikë më autonome. Ai tha se po favorizon ndryshimin e Kushtetutës franceze për të njohur "specifikimet" e komunitetit ishullor të Korsikës. Një ndryshim kushtetues do të kërkonte miratimin e parlamentit francez, raporton agjencia e lajmeve Associated Press.
Krahu i djathtë i ishullit, nga ana tjetër, thotë se është vetëm në favor të “përshtatjes” së ligjeve franceze me karakteristikat specifike të Korsikës. Macron kishte vendosur vija të shumta të kuqe, duke filluar me refuzimin për të pasur dy kategori qytetarësh në Republikën Franceze, që përjashton statusin e rezidentit dhe statusin bashkëzyrtar për gjuhën korsike.
Ishulli ka një popullsi prej 340 mijë banorëve dhe ka qenë pjesë e Francës që nga viti 1768, por Korsika ka parë gjithashtu dhunë pro-pavarësisë dhe ka një lëvizje nacionaliste me ndikim. Në vitin 1998, në një atentat që tronditi vendin, aktivistët pro-pavarësisë qëlluan për vdekje zyrtarin më të lartë të Francës në ishull, Claude Erignac.