MacShane: Koha që Greqia
dhe Qiproja ta njohin Kosovën

MacShane: Koha që Greqia<br />dhe Qiproja ta njohin Kosovën
Ish-ministri për Ballkanin në qeverinë britanike gjatë viteve 2001-2005, Denis MacShane, ka bërë një koment në lidhje me pranimin e fundit të Kosovës në Komitetin Ndërkombëtar Olimpik. Këtë fakt, MacShane e lidhë me mos-njohjen e Kosovës nga ana e Greqisë dhe thotë se ndoshta tash është momenti që kjo e fundit të ndërmerr hapin drejt njohjes së Kosovës.

Veç Greqisë, MacShane thotë se është koha që edhe Qiproja ta bëjë të njëjtin hap dhe kështu t’i tregohet Evropës se këto dy shtete janë të gatshme të kontribuojnë në zgjidhjen e shumë problemeve që ka BE.
 
Kujtojmë se MacShane ka botuar një libër për Kosovën, me titull "Why Kosovo Still Matters" në vitin 2011.
 
Në vijim ju sjellim pjesë nga komenti i ish-deputetit të parlamentit britanik, Denis MacShane:
 
“Kombi më i ri evropian është Kosova. Sikurse edhe kombet tjera që kanë dalë nga shpërbërja e Jugosllavisë, Kosova ka organizuar rezistencë pasive ndaj dominimit serb në vitet e 80-ta dhe 90-ta”, kujton MacShane.
 
MacShane kujton edhe luftën në Kosovë e cila thotë se rezultoi me heqjen dorë të serbëve nga Kosova.
 
“Më 2008, Kosova shpalli veten si komb-shtet të pavarur dhe u njoh si e tillë nga shumica e botës demokratike, por jo edhe nga Rusia, ku Putini atje zhvillon një fushatë globale diplomatike për miqtë e tij në Serbi për të refuzuar njohjen. Kjo nuk i funksioni edhe aq mirë dhe tani Kosova ka marrëdhënie diplomatike me 110 shtete anëtare të OKB-së – megjithëse Moska ende i vë veto anëtarësimit të plotë të Kosovës në OKB”, thotë MacShane.
 
“Por, muajin e kaluar, Komiteti Ndërkombëtar Olimpik vendosi që Kosova mund të merr pjesë në lojërat olimpike në Rio de Janeiro më 2016. Me një popullsi prej më pak se 2 milionë banorë, atletët e Kosovës mund të mos fitojnë shumë medalje të arta, të themi, ndoshta në peshëngritje. Megjithatë, nderi për të marrë pjesë në Olimpiadë do të nxis lëvizje të reja për sportin në Kosovë që do t’i jep të rinjve shpresë shumë dhe diçka për të ushtruar dhe luftuar”, shton MacShane në komentin e tij të botuar në The Globalist”, transmeton Koha.net.
 
“Kanë kaluar pothuajse 30 vjet që kur Slobodan Millosheviqi mbajti fjalimet e tija të famshme afër Prishtinës. Ai paralajmëroi nisjen e konfliktit të gjatë të Jugosllavisë. Një viktimë e madhe kolaterale ishte Greqia, derisa qëndron e pashpresë në qoshkun e largët të një rajoni evropian të gllabëruar në luftë, dhunë, spastrime etnike dhe vargje të mëdha refugjatësh”, shprehet MacShane.
 
“Por, përderisa pjesa tjetër e BE-së dhe NATO mbështetën Kosovën duke pranuar të drejtën e saj për të ekzistuar, Greqia mbajti lart turinjtë diplomatikë”.
 
“Athina veçse ishte e zemëruar me vendimin e Maqedonisë për të shfrytëzuar emrin e një prej rajoneve veriore të Greqisë dhe natyra polarizuese e politikës greke nënkuptonte se çdo politikan që do të mbështeste Kosovën do të akuzohej për tradhti ndaj bashkë-besimtarëve ortodoksë në Serbi”, thekson MacShane.
 
“Prandaj, përderisa 110 kombe tanimë kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën, Greqia nuk është një prej tyre Së bashku me katër shtete tjera të BE-së – Spanjën, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron, Greqia kishte refuzuar vendimin e BE-së që Kosova duhet të trajtohet si shtet sovran”, transmeton Koha.net.
 
Secili vend, thotë MacShane, ka arsyet e veta. Spanja brengoset për Kataloninë. Qipro mendonte se do të krijonte precedent për një të treten veriore të ishullit të okupuar nga ushtria turke që nga viti 1974.
 
Rumania dhe Sllovakia, thotë më tej MacShane, brengoseshin për politikat nacionaliste irredentiste hungareze që pretendon rajonet hungarisht-folëse në të dy këto vende.
 
“Por sot është pikërisht profili global i politikës së jashtme të BE-së që duket i dobët dhe pa kredibilitet. Nëpër botë, BE-ja dëshiron të merret seriozisht si lojtar global por njerëzit pyesin sa serioze mund të jetë ajo kërkesë pas parasysh se Evropa nuk mund të mbajë një qëndrim të përbashkët mbi diçka kaq të vogël sa njohja e një kombi të ri evropian”, thekson MacShane.
 
“Thënë të drejtën, Greqia ka marrëdhënie pozitive me Kosovën. Bizneset greke janë prezente për të ndihmuar zhvillimin e ekonomisë së Kosovës. Diplomatët grekë në një zyrë përfaqësuese në Prishtinë kryejnë punë efektive dhe të respektuar”.
 
“Por Athina mund të ndërmerr edhe një hap tutje dhe t’i jap inkurajim të rëndësishëm Frederica Mogherinin duke u bashkuar me shtetet tjera anëtare të BE-së dhe të ofrojë njohje të plotë diplomatike për Kosovën”, transmeton Koha.net.
 
Sipas MacShane, edhe Qiproja mund të bëjë të njëjtën gjë. Shteti ishull, sipas MacShane, është nën presion nga Turqia për të drejtat e saj të ujërave territoriale dhe thotë se Qipros i duhet e gjithë mbështetja e BE-së që mund ta sigurojë dhe mënyra më e mirë për ta arritur këtë, sipas MacShane, është të tregojë unitet me politikbërësit tjerë t mëdhenj të BE-së duke e njohur Kosovën.
 
“Njohja diplomatike nuk është një kurë për problemet në Ballkanin Perëndimor. Por mos-njohja është vetë-shkatërruese. Grekët janë më serbë se vet serbët të cilët tashmë janë duke e pranuar ekzistencën e Kosovës”, thotë MacShane.
 
Britaniku kujton kohën kur SHBA-të kishin refuzuar të hapnin një ambasadë në Rusinë Sovjetike dhe në Kinën komuniste për vite të tëra, derisa nuk e pranuan realitetin.
 
“Greqia duhet ta sistemojë në qetësi mos-njohjen e saj ndaj Kosovës dhe ta ftojë Frederica Mogherinin dhe Jean-Claude Junckerin të hapin një Ambasadë greke në Prishtinë. Kjo do të tregonte se Greqia është duke i kontribuar zgjidhjes së një prej shumë problemeve të BE-së”, përfundon MacShane./Gazetaexpress/

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zjarr në fshatin Kurqele të Klosit, flakët rrezikuan banesat

Zjarr në fshatin Kurqele të Klosit, flakët rrezikuan banesat