/ATSH-ANSA/ - Drejtuesit e rinj të bashkisë së Madridit, e fituar nga lëvizja "Podemos", kanë vendosur që të pyesin qytetarët për destinacionin e një pjese të investimeve në kryeqytetin spanjoll, vlera e të cilave shkon në rreth 100 milionë euro, njoftoi sot gazeta spanjolle "El Pais".
Banorët e kryeqytetit spanjoll do të shprehen për projekte të ndryshme nëpërmjet konsultimeve në internet.
Objektivi është dhënia e besimit qytetarëve për të zgjedhur destinacionin e 100 milionë eurove, që përbëjnë pesë për qind të buxhetit të qytetit.
"Qytetarët do të ndihmohen nga një komision ekspertësh të caktuar nga lidershipi i bashkisë", shton gazeta.
Pablo Soto, ish-zëdhënës i lëvizjes "Podemos" tha se kryeqytetasit spanjollë mund të propozojnë iniciativa që do të mund të votohen nëse mbështeten nga vetëm një për qind e një lagjeje apo një rajoni të Madridit.