Kefiri është një nga lëngjet më të pasura në natyrë, me rreth 500 përbërës aktivë dhe 30-50 baktere të mira për trupin tonë. Nutricionisti Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike, në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, u ndal tek vlerat e tij dhe mënyra sesi mund ta përgatisni vetë në shtëpi.
Joka shpjegoi se kokrrat e kefirit janë një lloj kërpudhe, që ka katër komponentë: polisaharide, maja, baktere të mira dhe proteina. Ato janë kokrra të bardha, që ngjajnë me copat e lulelakrës së zier. Kanë baktere të mira dhe një shtresë xhelatinoze.
Ja si ta përgatisni kefirin në shtëpi
Kefiri është i rëndësishëm që të mos preket me lugë metalike. Duhet një gramaturë e saktë që hidhet në qumësht dhe kokrrat e kefirit nuk duhen lënë veç, por brenda në qumësht. Ato duhen të vendosen në qumësht në temperaturë rreth 25 gradë Celsius. Fermentimi zgjat nga 18 deri në 24 orë. Kefiri prodhon acid laktik dhe probiotikë. Më pas kullohet dhe kokrrat e tij hidhen sërish në qumësht. Raporti i duhur është 30 gramë kefir për një litër qumësht. Ena nuk duhet mbyllur plotësisht, por të mbulohet me një napë sipër.
Me qumështin e dhisë bëhet kefiri më i mirë. Nëse kokrrat mbajnë erë të rëndë, duhet të shpëlahen me qumësht dhe jo me ujë, sepse uji ka klor dhe i dëmton.
Vlerat e kefirit, “mbretit” të probiotikëve
Nutricionisti Altin Joka ka shpjeguar se kefiri mbështet tretjen, ndihmon personat që konsumojnë shumë ilaçe, ndihmon në përthithjen e mineraleve bazë, forcon mikrobiomën, si dhe ndihmon sistemin imunitar dhe lufton inflamacionin.
“Kefiri gjithashtu ndihmon kundër plakjes, përmirëson memorien, ul fryrjet, rikuperon sistemin metabolik dhe ndikon shumë edhe në problemet e stresit dhe humorit”, shpjegoi Joka.
Nutricionisti tha se ky lëng përmban vitaminat B6, B9 dhe B12, minerale si hekuri, kaliumi, kalciumi dhe magnezi, si edhe proteina të fermentuara si triptofani, që na qetëson. Ai përmban enzima tretëse, peptide, acid laktik dhe aminoacide të shumta. Ka laktozë dhe proteaza, pra enzima që janë baza e jetës sonë.
“Kefiri është mbreti i probiotikëve. Në gjysmë litri ka rreth 30 miliardë baktere, stabilizon sheqerin në gjak dhe përthithja që bën organizmi nga kefiri është shumë e lartë. Ky lëng bën një kolonizim të zorrës, ka nivele të ulëta laktoze dhe, ndryshe nga kosi, është tetëfish më i shëndetshëm.”
Ja kur duhet ta konsumoni kefirin që të merrni të gjitha dobitë e tij
Kefiri është mirë të konsumohet në mëngjes herët dhe në darkë. Kur konsumohet në mëngjes, bakteret e mira kanë më pak konkurrencë, pasi aciditeti i stomakut është më i ulët. Ndërsa më vonë gjatë ditës, aciditeti i stomakut eliminon më shumë baktere.
Në mëngjes, kefiri stabilizon sheqerin në nivelin glicemik, zgjon sistemin imunitar, rrit enzimat tretëse dhe ndikon tek serotonina, duke përmirësuar humorin tonë.
Edhe në darkë, kefiri ndihmon për një gjumë më të mirë, detoksifikon organizmin dhe, falë triptofanit, qetëson sistemin nervor.
Komente











