Magjia e Shkodrës dhe violinës

Magjia e Shkodrës dhe violinës

Shkoder

Në Shkodër 

Atë mbrëmje, sapo vendosëm, kontaktuam me bujtinat Kaduku dhe Elite që ishin plotësisht të rezervuara. Pastaj u lidhëm me CityCenterHotel që, sipas hartës së qytetit në Google, ndodhej në Pedonalen e bukur të Shkodrës. Biseda qe e shkurtër dhe rezultoi e frutshme. Kemi një dhomë për ju, dëgjuam zërin e një personi të miredukuar për detyrën që kryente në anën tjetër të linjës. Po erdhët me makinën tuaj, po iu nis menjëherë adresën e parkingut publik. Kështu të nesërmen u nisëm nga Durrësi me atë ndjenjën e mirë që ka çdo njeri kur është për rrugë, aq më tepër kur ajo të çon në Shkodërloce. Deri kur pamë tabelën orientuese nuk na besohej që tamam në zemër të pedonales, përballë Muzeut Marubi, ndodhej hoteli ynë. Vendndodhja më e mirë në krahasim me të gjithë hotelet e tjerë! 

Nuk kemi kohë për të humbur. Sulemi në drejtim te Muzeut Etnografik, pranë Çinarit të Madh. I kompozuar në përshtatje me mjediset që ofron ndërtesa e restauruar me kujdes nga mjeshtrat shkodranë, nga njëri kat në tjetrin çdo dhomë ka eksponate, fotografi të shumta, objekte dhe materiale dokumentare që ofrojnë njohjen e kulturës së jetesës ndër vite të qytetit tonë të mirënjohur.  

Prej aty kthehemi në Muzeun Marubi. Jemi me fat. Ne katin e parë është hapur  ekspozita fotografike e dy vëllezërve, Janaki e Milton Manaki, pionierë  të fotografisë dhe filmit në Maqedoni, në fund të shekullit të 19-të dhe fillimin e shekullit të 20-të. Njeri prej tyre është autori i fotos historike të Komisionit të Alfabetit Shqip, të kryesuar nga Padër Gjergj Fishta, në Manastir më 1908. Muzeu, i rinovuar, ofron foto të rralla të disa prej momenteve kyçe të 

historisë sonë kombëtare. Ashtu si edhe të shumë prej figurave me kontribut të veçantë për prosperimin e Shqipërisë si Çerciz Topulli, Mihal Grameno, Kolë Idromeno, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Lasgush Poradeci, Asdreni, Zef Kolombi, etj. Muzeu Marubi është një aset kombëtar edukimi. 

Si i tillë do t'ishte e udhës që nxënësit e shkollave të mesme të vendit, të organizuar në zbatim të një udhëzimi në nivelin e Ministrisë së Arsimit, në bashkëpunim me Drejtoritë Arsimore në rrethe, ta vizitonin Muzeun një herë në katër vitet e shkollimit. Ashtu si edhe Butrintin, Apolloninë, Muzeun Ikonografik (Korçë), Muzeun Historik Kombëtar, etj. 

Në mbrëmje ulemi për t'u argëtuar në Oborrin Shkodran, në krye të Pedonales. Është plot e përplot me turistë. Lokali me orkestrën, dy këngëtarët dhe repertorin e pasur te këngëve qytetare shkodrane, por edhe me gatimet e shumëllojshme të traditës kulinare të trevës, plotesojnë më së miri atë që na mungonte nga kjo ditë e veçantë. 

Të nesërmen në mëngjes jemi ulur në verandën e “Kështjellës”. Lokalit që ngrihet anës Bunës, sapo del nga ura mbi të dhe merr drejtimin për Muriqan. Freskia e mëngjesit, ajri i pastër, ujrat e Liqenit në të majtë dhe të Drinit e Bunës që bashkohen në të djathtë, rrezet e diellit që po ngrihet ngadalë dhe që shënjojnë Kalanë e Rozafës përballë, shija e tespixhes, ëmbëlsirës karakteristike të qytetit, vetëm sa e shtojnë keqardhjen tonë që po largohemi nga Shkodra. 

Bashkë me shoqen time te jetës, që është magjepsur nga pamja dhe nuk pushon së shkrepuri kameran, biem dakord se nuk ka më bukur se ky vend për t'i thënë mirupafshim Asaj. Para na pret një ditë e gjatë dhe synimi për të parë sa më shumë ... 

Në Velipojë 

Mbasi marrim kthesën e Bërdicës, në të majtë të rrugës anashkalojmë në lëvizje e sipër lagjet e fshatit mbushur me shtëpi e vila të reja. Parcelat e tokës të punuara për merak, pemishtet e ngarkuara me fruta dhe vreshtat që bëheshin gati të dhuronin rrushin, “pushtojnë” vëmëndjen tonë. Nuk e ndjejmë rrugën deri sa në horizont shohim detin dhe pas pak plazhet përgjatë bregut të tij. Nuk kemi asnjë adresë kështu që iu drejtohemi një grupi ndërtesash të rrethuara me gardh shufrash hekuri dhe lulishte të sistemuara e rrugë të shtruara me të gjithë sinjalistikën e nevojshme. Në mes tyre dallojmë pishinat me siperfaqen e ujit ngjyrë kaltër që reflektojnë si pasqyra të mëdha objektet që kanë përreth. Padyshim një Resort! Parkojmë në zonën e plazhit. Punëtorë dhe mjete transporti që largojnë çadrat e shezlonget. Mori fund për këtë vit, na thotë duke buzëqeshur një djalë i ri. Kthehemi dhe hyjmë, duke ndjekur shenjat orientuese, në një nga ndërtesat e Resortit me shpresën që bari është i hapur. Dy gra të reja pastronin në qoshe të sallës. Pyetjeve tona iu përgjigjen duke mbledhur supet dhe belbëzuar në një gjuhë që nuk e kuptonim. Ishin të huaja të punësuara këtu. Përgjegjsja e tyre, që e thirrën, na sqaroi se resorti ishte i mbyllur dhe punonte vetëm për grupe turistike që kishin prenotuar për qëndrime disa ditore. Zonja që na sqaroi ishte vendalie dhe na ndihmoi me sugjerimet e saj që të shikonim sa më shumë nga hotelet, resortet dhe vijën bregdetare të Velipojës me plazhet dhe rërën kurative të tyre. 

Në “Mrizi Zanave” dhe “Hylli Dritës” 

Vazhdojmë aventurën e asaj dite duke marrë rrugën për Lezhë. Pak kilometra pa arritur atje, kthejmë majtas në Fishtë dhe pas një copë rruge të asfaltuar arrijmë në resortin “Mrizi Zanave”. Parkingu është plot. Anas rrugicës hyrëse janë rreshtuar 4 autobusë. Lart në sallat e mëdha të restorantit nuk ke ku hedh mollën. Poshtë nën hardhitë e rrushit po shtrojnë me ngut tavolina të gjata si në një menxë. Një grup i madh të ardhurish presin të sistemohen. Kamarieret e hijshme si zanat e Fishtës vrapojnë e fshijnë djersët. Manaxheri i lokalit mezi perqëndrohet dhe na këshillon me dashamirësi që vaktin për të cilen kemi ndaluar mund të shkojmë e ta shijojmë tek resorti “Hylli Dritës”. Edhe atje është shumë mirë, thotë ai. Pastaj rruga në atë drejtim vazhdon e asfaltuar deri në Lezhë, na siguron kur na sheh në mëdyshje. 

Ashtu bëjmë. Rruga është për mrekulli. Plot kthesa e ngjitje-ulje që veçse e motivojnë shoferin për të qenë i përqëndruar. Ja edhe “Hylli Dritës”, me një çardak të gjërë që sheh fushën e mbi Lezhës. Pamje spektakulare, deri poshtë në rrugën nacionale dhe pertej në horizont ku më shumë e ndjen se e sheh bregdetin. Një bust i Fishtës dhe pllakat dekorative me citime nga veprat e Tij bien në sy në sfond të sallës. Kur afrohesh dhe lexon vargjet e ekspozuara, që të hyjnë drejt e në shpirt, humbet në meditim e mirënjohje të thellë për njeriun që i dha gjthçka kombit tonë nga talenti Tij i pamatë! Qoftë edhe për kaq kujtdo që i bjen rruga për Fishtë, i ri apo i moshuar, do të kënaqet nga vizita në mjedisin fishtian, panorama e rrallë që ofron dhe menuja e larmishme e gatimeve me prodhimet agro-bujqësore të zonës e resortit bio “Hylli Dritës”. 

Nuk kthehemi mbrapsht por vazhdojmë  në të njëjtën rrugë për Lezhë sapo dëgjojmë që ajo kalon përmes Kallmetit, mbretërisë së verës shqiptare të paktën deri në vitin 1990. Pasi përshkojmë 

Troshanin me kopshtet e shtëpive plot pjergulla e pemë frutore, që lëshonin aromën e vjeshtës së parë rreth e qark, na del papritur n'anë të rrugës tabela Kallmet 2. Nuk shohim dyqane apo ndonjë pikë tregtare që të ndalojmë. Mbas disa kthesave tabela re shënon Kallmet 1. Në të majtë rruga zgjerohet dhe shihet një market modest ku tregtohet edhe vera e famshme e Kallmetit. Pyetjes në se mund të vizitojmë punishten ku prodhohet vera na thanë se ndodhet ne Kallmet 2. Nuk u kthyem (sot ndjehemi të penduar), blemë disa shishe vere që ishin paisur me etiketa sipas kërkesave të kohës dhe vazhduam rrugën për Tiranë ku kishim edhe ndalesën e fundit në pragmbrëmjen e të njëjtës ditë, 15 Shtator 2023. 

Holli “Gjon Simoni” në RTSH 

Mendimi që në fund të ditës do të ndjekësh një koncert simfonik vetvetiu t'a zbukuron atë. Pikërisht këtë po përjetonim përgjatë asaj dite fatlume. Ishim miq të ftuar të Shpresës, mësueses së nderuar pensioniste durrsake, zonjës të të ndjerit Gjergj Vlashi, Nderi Kombit. Shkrimtari, përkthyesi dhe i konsideruar babai i regjizurës së varietesë shqiptare. 

Holli “Gjon Simoni” i godinës së Radios po mbushet me të ftuarit. Mbas pak një pjese u duhet të qëndrojnë në këmbë. Është e gjithë paria artistike e Tiranës. Ngren siparin e sezonit të ri artistik orkestra simfonike e RTSH, nën drejtimin e maestros Aurelien Azan Zielinski. Nipi Shpresës, Daniel Vlashi Lukaçi, interpreton Koncert ne La Maxhor për violinë e orkestër te W. A. Mozart. 

Vetëm 26 vjec, i edukuar në shkollat më të mira europiane të Violinës, Danieli për momentin është zv/koncert maestër i Filarmonisë së Berlinit. 

Në harmoni të plotë me orkestrën, plot temperament e siguri, violina e Danielit përcjell kaq bukur magjinë e muzikës së pavdekshme të Mozart. Në përfundim spektatorët të ngritur nga vendet duartokasin gjatë dhe kërkojnë encore nga durrsaku i ri që ka arritur shumëçka dhe sapo ka hapur në Berlin një portë të madhe për të ardhmen e tij artistike. 

Pas shfaqjes të emocionuar diskutojmë për koncertin. Sa mirë që më në fund  kemi një drejtor artistik që sjell eksperiencën dhe disiplinën e orkestrave më të përparuara të Europës! Risi e vlertë për të nxitur e mbështetur talentet e reja! Të gjithë i urojmë jetëgjatësi asaj! 

Afrohet Danieli, nipi dhe djali i Durrësit. E përgëzojnë dhe përqafojnë gjyshe Shpresa e daj Bardhi me teta Mirën, miqt e familjes Hajgu, Gëzimi e Irma dhe plot të tjerë.  Gëzimi mendon për emocionet e prindërve të Danielit që janë larg, në La Korunja të Spanjës. U shkruan për suksesin. U takon jo vetëm si prindër. Flori dhe Rediana, të dy artistë të shquar të violinës e violoncelit, janë mësuesit e parë të Danielit. 

Nisemi për shtëpi në Durres plot mbresa të bukura për Shqipërinë tonë turistike e kulturore. 

Kujtim Kabashi 

Durrës - Toronto 

S.G/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • parruca: 18/01/2024 08:44

    merre me long se mishi u maru

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?