Xhuljo Imeri, i riu shqiptar i cili mahniti jurinë e ‘The Voice of Grece’, në një intervistë për Report Tv tha se performanca e tij u prit shumë mirë nga të katërt anëtarët e jurisë. Imeri tha se në Greqi është më e lehtë të bësh art pavarësisht sfidave që ka për faktin se është emigrant.

‘Unë jam këngëtar producent, i rritur dhe i lindur në Gjirokastër dhe së fundmi kam shkuar në Greqi. Përformanca ime u prit shumë mirë, ia dola që t’i ktheja të katërta karrige në The Voice. Në Greqi është më e lehtë të bësh art. Nuk është e thjeshtë si emigrant pasi kam pasur uljet dhe ngritjet e veta. Edhe gjuha ndikon, por e mira është sipas eksperiencës sime njerëzit e duan muzikën dhe i vlerësojnë ata që përformojnë bukur, por shkon mirë. Për muzikën që bëj unë, nuk është aq e prekshme nga masa në Shqipëri. Është një miks zhanerash por jam i kënaqur me kaq.’- tha Imeri.

Në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Imeri u shpreh se dëshirën për muzikën e ka trashëguar nga familja.

‘Edhe unë si gjithë familjarët e mi dua të interesohem dhe të futem më thellë. Plus është pasion është diçka që unë marr frymë.’- u shpreh ai.

I pyetur në lidhje me paragjykimet që mund të hasë në Greqi, Imeri u shpreh se nuk ndjen asnjë paragjykim.

‘Nuk besoj se ekziston kaq shumë paragjykimi ndaj shqiptarëve për këto momente personalisht nuk e ndjej fare. Ndjej një ngrohtësi shumë të madhe dhe kjo më bën të ndihem mirë, si shqiptar them më në fund pasi kemi patur vështirësi.’- u shpreh Imeri.

Xhuljo Imeri, i rritur në Gjirokastër, pas performancës së tij me këngën “Stay with me” mori dritën jeshile nga të katërt anëtarët e panelit (Konstantinos Argyros, Panos Mouzourakis, Sakis Rouvas dhe Elena Paparizou, në skuadrën e së cilës do të jetë dhe shqiptari). Xhuljo pesë vitet e fundit ka performuar në Greqi si artist rruge bashkë me të dashurën e tij Dhimitrën, dhe siç është shprehur kryesisht këndon dhe flet në anglisht, e pak në gjuhën greke.