ITALI - Milani është shumë pranë arritjes së marrëveshjes për rinovimin e kontratës me portierin Mike Maignan. Klubi kuqezi dhe gardiani francez pritet të zyrtarizojnë akordin pas një takimi të planifikuar gjatë kësaj jave mes drejtuesve dhe agjentit të lojtarit.
Sipas medieve në Itali, oferta e Milanit parashikon një kontratë deri në vitin 2029, me një pagë që mund të arrijë në 7 milionë euro në sezon, përfshirë bonuset. Me këtë shifër, Maignan do të renditej ndër lojtarët më të paguar të skuadrës, në të njëjtin nivel me Rafael Leao.
Ky rinovim synon të blindojë portierin francez dhe të largojë interesimin e klubeve të mëdha europiane si Juventus, Chelsea dhe Manchester United, të cilat kanë ndjekur nga afër situatën e tij.
Negociatat kishin kaluar një periudhë të vështirë në fillim të vitit 2025, kur bisedimet ishin ndërprerë për shkak të tensioneve mes palëve. Megjithatë, mbështetja e trajnerit Massimiliano Allegri dhe paraqitjet pozitive të Maignan në ndeshjet e fundit kanë ndikuar në afrimin e qëndrimeve.
Komente









