Konflikti në Iran po detyron qytetarët shqiptarë të shpenzojnë më shumë se vjet por edhe se muajt e kaluar, për të njëjtat mallra dhe shërbime. Kjo lidhet kryesisht me rritjen e çmimeve të energjisë dhe karburanteve në tregjet ndërkombëtare si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme dhe pasigurive të shtuara.
Norma e inflacionit arriti në 3% në maj, duke shënuar një rritje krahasuar me 2.2% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në muajin e kaluar 3 janë grupet kryesore që kanë luajtur rol në rritjen e inflacionit, qiratë me 0.84%, ushqimet dhe pije joalkoolike që u rritën me 0,76% dhe grupi i transportit me 0,51%.
Kurse në krahasim vjetor me 2025-ën, INSTAT thotë se shtrenjtimi më i madh ishte tek transporti me 7.8%, ku ndikim kryesor ka dhënë çmimi i hidrokarbureve. Sipas të dhënave kostot për karburantin u rritën me 8.8% në maj, ndërsa një shtrenjtim i fortë është regjistruar tek shërbimi postar me 13.5% krahasuar me vitin e kaluar.
Pas transportit rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar tek grupi i “Sigurimeve dhe shërbime financiare” me 4,9%. E pandalshme është edhe rritja e çmimeve të qirave, të cilat INSTAT thotë se u rritën me 6% gjatë muajit të kaluar, ndërsa çmimet e ushqimeve pësuan rritje me 2.2%. Tek grupi i ushqimeve rritja më e madhe është regjistruar tek produktet e mishit, peshkut por edhe tek frutat.
Raportet e institucioneve vendase dhe të huaja thonë se sa më shumë të zgjatet konflikti në lindje aq më shumë ekspozohet ekonomia, dhe efekt direkt parësor te çmimet e konsumit. Në maj, Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.5% përpos pritshmërisë për rritje të inflacionit edhe mbi 3% këtë vit.
Komente







