Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko ka zhvilluar një takim me komunitetin shqiptar në Selanik të Greqisë gjatë ditës së djeshme. Pandeli Majko diskutoi lidhur me hapat që po ndërmerren në mbështetje të diasporës shqiptare, duke i njohur më shumë me përmbajtjen e projektligjit dhe funksionin e Agjencisë për Diasporën.

"Emigrantët përfaqësojnë një cilësi të popullsisë shqiptare”- u shpreh Majko.

Majko e vuri theksin tek rëndësia e përfshirjes në votime të shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Ministri foli për planet e hapjes së qendrave kulturore në të gjithë botën, angazhimin e tij për organizimin e aktiviteteve kulturore për shqiptarët e Greqisë, krijimin e lehtësirave për mësuesit dhe nxënësit shqiptarë dhe rëndësinë e ruajtjes së gjuhës tek brezat e rinj. 

Majko informoi përfaqësuesit e shoqatave lidhur me diskutimet e zhvilluara në Athinë, si ato me Ministrin e Brendshëm dhe Avokatin e Popullit, ku në fokus ishin problematikat e komunitetit shqiptar. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e shoqatave informuan Ministrin Majko mbi shqetësimet e komunitetit shqiptar në Selanik dhe parashtruan kërkesat e tyre.
pandeli majko
pandeli majko
Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com