Makarona furre me salcë të kuqe
Përbërësit:
- 320 gr tortiglione (makarona tub)
- 1 qepë e bardhë
- 100 gr bizele
- 200 gr kërpudha champignon
- 300 ml salcë domate
- 200 gr djathë kaçkavall
- 150 gr djathë pecorino
- 4 vezë
- Vaj ulliri
- Borzilok
- Kripë, piper
Përgatitja:
Fillimisht përgatisim salcën. Në një tigan që nuk ngjit, ngrohim pak vaj ulliri dhe kaurdisim mirë qepën e grirë imët. Pasi qepa është skuqur shtojmë bizelet, vendosim kapakun për pak minuta. Ndërkohë pasi i kemi pastruar kërpudhat i presim në feta jo shumë të holla dhe i shtojmë në tiganin me qepë dhe bizele së bashku me salcën e domates. Hedhim një gotë ujë të nxehtë dhe e lëmë salcën të lidhet për 15 minuta.
Vendosim vezët të ziejnë në ujë të vluar së bashku me makaronat. I kullojmë 4 minuta para nga koha e gatimit e treguar në paketim. Shtojmë makaronat tek salca, fikim sobën, grijmë djathin kaçkavall (në julienne) dhe shtojmë vezët e ziera të prera. Plotësojmë shijen me djathë pecorino dhe borzilok. Të gjithë këtë masë e kalojmë në një tavë dhe e vendosim në furrë të parangrohur në temperaturën 200°C për 15 minuta.