Makarona me mish të grirë
Përbërësit:
- 500 gr makarona
- 400 gr mish i grirë
- 1 qepë mesatare
- 2 thelpinj hudhër
- 3 lugë gjelle vaj ulliri
- 400 gr salcë domatesh
- 1 lç rigon ose borzilok i tharë
- Kripë dhe piper sipas shijes
- Pak djathë kaçkavall
- Pak majdanoz për dekorim
Përgatitja:
Në një tenxhere të madhe me ujë të vluar me kripë, ziejmë makaronat sipas udhëzimeve të paketimit. I kullojmë dhe i lëmë mënjanë. Ndërkohë në një tigan të thellë, ngrohim vajin e ullirit në zjarr mesatar. Shtojmë qepën dhe hudhrën dhe i kaurdisim derisa të zbuten. Shtojmë mishin e grirë dhe e skuqim derisa të marrë ngjyrë kafe duke e përzier vazhdimisht për të shmangur formimin e kokrrizave. Më pas hedhim salcën e domates mbi mishin e grirë. Rregullojmë shijen me pak rigon ose borzilok, kripë dhe piper. E lëmë të ziejë në zjarr të ulët për 15 minuta, duke e përzier herë pas here. Në fund shtojmë makaronat e ziera në tigan dhe i përziejmë mirë që salca të përhapet në mënyrë të barabartë. Nëse dëshirojmë më shumë lagështi, shtojmë pak nga uji i zierjes së makaronave. I shërbejmë makaronat të ngrohta, sipër hedhim pak djathë të grirë dhe e dekorojmë me majdanoz.