Makbule Çeço: Gratë në qeveri?
Ogur i mirë, por jo si pasarelë

Makbule Çeço: Gratë në qeveri?<br />Ogur i mirë, por jo si pasarelë
TIRANE -  Rikthehet edhe një herë në vëmendje të medias ish deputetja dhe ish zv.kryeministrja e qeverisë socialiste Makbule Çeço (foto). Në një intervistë ekskluzive për të përditshmen “Shqiptarja.com”, Çeço ka dhënë komentet e saj mbi aktualitetin politik, ndërkohë që ka sugjeruar edhe mendime për të pasur një qeveri të suksesshme nga Edi Rama.

Në një intervistë të gjatë, Çeço ka komentuar marrëdhëniet Rama-Meta në bashkëqeverisje si dhe ristitë që do të sjell rikthimi i PS-së në pushtet. Ajo bën apel që kryeministri Rama të bëjë një luftë të ashpër ndaj korrupsionit që fenomeni i njohur si “blloku i Ilir Metës” mos e ndjekë si hije në qeverisje. Ish ligjëvënësja në parlament ‘i ka tërhequr veshin’ Ramës, duke i kërkuar atij zbatimin e ligjit për një qeverisje të mirë.

Megjithatë, ajo e vlerëson Ramën kur ka nënvizuar se “Rama kërkon të ngelet në histori”, ndaj, sipas asaj, pretendohet se nga kryeministri i zgjedhur do të bëhet një punë e mirë në shërbim të komunitetit shqiptar.
 
Bëri mirë apo keq Rama që u bashkua me Ilir Metën e "bllokut"?
Në fakt është një pyetje që është bërë dhe vazhdon të bëhet shpesh, çka flet për ekzistencën e një problemi apo shqetësimi qytetar, përsa kohë tërheq vëmëndjen në vijimësi. Mendimet e qëndrimet kanë qenë të ndryshme, pro dhe kundër, por vullneti i shumicës së zgjedhësve i dha një përgjigje fillestare, vota qytetare përcaktoi qartë fituesin e zgjedhjeve. Në funksion të përgjigjes po sjell një pasazh të Kryeministrit të Britanisë, Xhejms Kallagan, i cili në ditët e fundit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 1979, i thoshte njërit prej njerëzve të tij të besuar se “ka momente kur në politikë ndodh një ndryshim i jashtëzakonshëm dhe shkundës”, momente në të cilat “nuk ka më rëndësi se çfarë thua apo çfarë bën”, sepse sipas tij, “ka një ndryshim dhe zhvendosje të madhe në atë që publiku dëshiron dhe atë çfarë ai aprovon”. Dhe pikërisht zgjedhjet e 23 qershorit ishin përballë një ndryshimi të tillë shkundës. E majta fitoi zgjedhjet duke i dhënë një zgjidhje problemit që ishte vënë prej kohësh në plan të parë, largimi me votë i qeverisjes arrogante, të kompromentuar, korruptive të z.Berisha. Koalicioni i majtë mori prokurën dhe delegimin e rreth një milion votuesve, fitoi legjimitetin për të qeverisur. Por, sigurisht legjitimiteti nuk është njëherë e përgjithmonë “i dhënë”, static, por ndryshon me kohë, mund të pakësohet, mund të humbasë ose mund edhe të rritet,në varësi të veprimtarisë së institucioneve dhe të përmbushjes ose mospërmbushjes së premtimeve të dhëna qytetarëve apo të pritshmërive të tyre. Kështu që mbetet të shihet në se me këtë zgjidhje me vullnet të qytetarëve, mentaliteti dhe fenomeni “i bllokut”, si simbol i korrupsionit ka marrë goditje apo do ndjekë si hije qeverisjen e re për më tepër që kjo votë e rriti maksimalisht përfaqësimin e katërfishoi brenda pak kohe numrin e mandateve nga 4 në 16 vende në Kuvend të partisë së z.Meta. Pra vota bën diferencën, herë duke dënuar politikanë, e herë duke vlerësuar intuitivisht raste dëshpërimore,sipas konceptit të mbështetjes të të keqes më të vogël, përballë imperativit të largimit të të keqes më të madhe. Në këtë kontekst kujtoj thënien e Mark Tuen se "Nëse vota jonë do vlente realisht, atëherë nuk do na lejonin të votonim". Por, sikurse paralajmëron Samuel Hantington në librin e tij të njohur “Vala e tretë”, se një nga kushtet fillestare për të mposhtur një pushtet autokratik është bashkimi i opozitës, u realizua dhe bashkimi i z.Rama me z. Meta të “bllokut”, siç ju, dhe jo pak të tjerë, e cilësoni.

Moraliteti rreth së mirës dhe të keqes në politikë është tepër relativ. I tillë paraqitet dhe bashkëpunimi apo mosbashkëpunimi midis grupimeve politike edhe midis forcave të majta. Elektorati i majtë nuk meritonte të riprovonte frutet e hidhura të mosbashkëpunimit të forcave të majta. Por, për hir të bashkëpunimit gjykoj që nuk duhen lënë në heshtje gabimet e derisotme, madje do të kishte impakt pozitiv ndërmarja e analizave me frymë kritike dhe autokritike nga forumet dhe liderët partiakë gjatë kësaj intermexoje paszgjedhore, të paktën për  të vënë theksin në atë ç'ka s'duhet të ndodhë në të ardhmen midis forcave të koalicionit fitues sepse siç thotë latini “të gabosh është njerëzore,të vazhdosh është diabolike/djallëzore”.
 
Rama zgjodhi prap kastën e vjetër për ta futur në Kuvend. Keni pasur kontakte nga kryesocialisti Rama?
Nuk mendoj se ka ndonjë interes, përvec kuriozotetit në se kam patur apo jo kontakte apo ftesë nga z.Rama për të qënë pjesë e kuvendit. Mosqënia kontribuese, në kuptimin e mirfilltë të të qënit politikan aktiv e në karrierë nuk do të thotë se kanë shterur alternativat jetësore. Unë i jam kthyer me shumë dëshirë e përkushtim jetës akademike ku e ndjej veten “në ujrat” e mija, mbasi nga jeta akademike kalova në politikë aktive për një peridhë të gjatë por dhe politikën dhe zhvillimet politike,i ndjek me shumë interes. Ndërkohë, mendoj sikurse dëshmon dhe e vërteton praktika dhe teoria politike, se suksesi në politikë për këdo nuk matet me numrin e viteve në pushtet apo nga larmia e posteve të ushtruara. Për çdo politikan serioz, të përgjegjshëm, të ndershëm, jeta vazhdon edhe pas mbylljes së karrierës politike aktive.
 
A keni kontakte me Ramën apo janë prerë prej vitesh?
Kontaktet janë të rralla, në ndonjë aktivitet si psh rasti i fundit në festën e përvjetorit të krijimit të PS, pas zgjedhjeve të 23 qershorit.
 
Si e shikoni qeverinë e re?
Qeverinë e re e shikoj siç mund të shohë çdo njeri një gjë të re, që zakonisht e bashkëshoqëron shpresa se do sjellë një impuls në përmirësimin e situatës. E reja është tërheqëse, e pranueshme, e justifikuar, shpresëdhënëse, sigurisht pa përjashtuar dhe riskun që mbart është njëherazi dhe sfidë për sa kohë do i shërbej dobishmërisë, efektivtetit, zgjidhjes së prioriteteve dhe vazhdimësisë zhvilluese, progresit, mirëqënies e prosperitetit, performancës pozitive dhe luftës kundrejt negativiteteve, veçanërsiht korrupsinit, klientelizmit,nepotizmit, përfitimeve të paligjshme personale e familjare etj., që nuk kanë qënë të pakta si përgjatë 20 e ca vjetëve të tranzicionit të vështirë të shoqërisë shqiptare,e vecanërisht të agravuara gjatë viteve të fundit të qeverisjes së djathtë të z.Berisha,të ndëshkuar tashmë me votë popullore. Por sikurse ka thënë prej kohësh Makiaveli “Vёshtirёsitё janё tё vogla aty ku ka vullnet tё madh pёr tё bёrё diçka”.

6 femra në qeveri, ogur i mirë?
Goxha ogur pozitiv në aspektin sasior. Do dëshiroja që të mos mbeteshim në vlerësimin e kësaj risie vetëm në aspektin numerik, por dhe përmbajtësor. Fillimi i mbarë gjysma e punës. Është në vetëdijën e përkushtimin e zonjave ministre të risin përmasat dhe vlerat përmbajtësore si fillesë e krijimit të hapësirave për një ritje të përfaqësimit më të madh të zonjave në qeverisje, duke i dhënë një kuptim real përfshirjes së tyre në qeverisje, si nga vetë kryeministri i ri, ashtu dhe nga ato vetë, dhe jo thjesht si një lloj sfilate politike për të dalë emancipues dhe progresistë ndaj misionit të grave veçanërisht para syve të botës.

Ministrja e Mbrojtes Mimi Kodheli do të mund t’i ‘vendosë në rresht’ ushtarakët?
Në se ministrat emërohen me një filozofi të tillë, për të vënë në rresht stafet e dikastereve respektive, atëherë s’do kishte ndonjë vlerë risia e vendosjes së një numri relativisht të konsiderueshëm të zonjave në qeverinë e re sipas konceptimit maskilist. Në rastin konkret, gjithçka do të varet nga  menaxhimi politikisht i postit të ministres së Mbrojtjes, mbështetja tek meritokracia profesionale, tek përgjegjësia funksionale dhe përkushtimi në trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve, edhe pse s'ka profesionin e ushtarakes, ”për të vënë në rrjesht ushtarakët”. Qeverisja është art që kërkon vizion, integritet, aftësi individuale, njohje dhe dije për fushën që merr përsipër të drejtosh, administrosh e menaxhosh, elementë të cilët janë përcaktues për kulturën politike dhe staturën apo profilin e çdo politikani/ politikaneje. Për të përcjellë më të prekshëm mesazhin e nevojës së profesionalizmit që duhet të karakterizojë një politikan/ politikane, po sjell në vëmëndje një ndodhi në Greqinë e lashtë, marrë nga Plini i Vjetër, që rrëfen ndodhinë në fjalë të piktorit të madh grek Apellis me këpucarin,të cilit iu rrit oreksi, pas pranimit të sugjerimit që i bëri gabimit në pikturimin e sandales të një personazhi gjatë realizimit të një afresku, duke vazhduar dhe me vërejtje e sugjerime edhe për gjëra që s’i dinte apo që s’i takonin, derisa artisti i kthen përgjigjen që ka mbetur edhe në ditët e sotme një nga maksimat më të njohura e domethënëse: “O këpucar,rri/qëndro te këpuca! (Ne supra crepidem sutor judicaret!). Si në çdo gjë,aq më tepër në qeverisje,profesionalizmi është çelësi për sukses.
 
Si e vlerësoni ministrin Tahiri, Veliaj,Bushati,Gjiknuri,Gjermeni, Ahmetaj?
Lidhur me pyetjen për emrat e përvecëm si z.Tahiri, Veliaj, Bushati, Gjiknuri, Gjermeni apo Ahmetaj etj, më mirë se një mendim paraprak apo me paradhënie nga kushdo dhe i kujdo,që i njeh mirë,apo i njeh jo mjaftueshëm,sikurse është njohja ime për ta është mendimi apo gjykimi që i shërben së ardhmes,prandaj preferoj të presim, të shohim punën e tyre në të ardhmen e afërt, me marrjen në dorë të drejtimit të dikastereve ku janë caktuar. Sipas filozofisë së Xhon Lok “njohja e njeriut s’mund të shkojë përtej përvojës së tij”. Shumë e dinë kush je...Pak e dinë si je. Si përfundim, në funksion të përgjigjes për pyetjen tuaj vlen të nënvizohet trendi i sotëm,jo vetëm tek ne,që sipas Politologut gjerman Erhard Epler është  se “politika moderne e ka të domosdoshme të krijojë “elitën e re”,që sipas tij,përbëhet nga “grupe që në fushën e tyre dinë të vendosin thekset”. Uroj dhe shpresoj të jenë të tillë.

Në PS flitet se Rama ka vendosur se do dalë në terren t’i prekë vetë gjërat me dorë. Dmth do shkojë në spital, do udhëtojë me makinë tjetër për të parë gatishmërinë e policëve, do infiltrojë njerëz për të kapur "mat". Mendoni se e bën?
Ekonomisti i famshëm francez E. Kesnai kur e pyetën: “Si do të qeverisje vendin po të ishe kryetar shteti?”, u përgjigj: “Unë nuk do të qeverisja: këtë punë do ta bënin ligjet”.
Politika dhe qeverisja ngjasojnë me sportin, sepse ato presupozojnë “një lojë” në skuadër që ka rregulla rigoroze dhe kërkon dhe mbështjetjen e mendimin e sportdashësve. Këtë besoj e di mirë kryeministri i ri, si debutues i hershëm në sport. Në se gjithë ekipi do luajë në të njëjtën fushë, në të njëjtin drejtim, me objektiva të qarta, me vizion e ide të konturuara sipas motos shkëmbimi i ideve i shumfishon ato tek secili mbartës individual i idesë, jo të imponuara nga uni, njëshi, me trasparencë e me përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje, atëherë pritshmëritë e kapitenit të skuadrës, të vetë skuadrës dhe sportdashësve-qytetarë do jenë shpresdhënëse si fillim dhe rezultative dhe produktive në vijimësi. Shpresoj që nga ekipi të mos devijohet e  veçohen lojtarët, të mos shkëputen nga qytetarët në vendimmarrje, të mos humbasin busullën e përgjegjësisë dhe trasparencës, të mos bien pre e emocionalitetit, etjes për të spikatur apo për tu dukur, personalizimit apo amatorizmit, çka dëmton frymën e qeverisjes, zbeh pritshmëritë dhe gjërat nisin të përkeqësohen.
Përgjegjshmëria, zbatimi rigoroz i ligjit, vizioni, objektivat e mirëpërcaktuara, puna në ekip, kolegjialiteti, besimi tek bashkëpuntorët sikurse dhe kontrolli i ndërsjelltë, trasparenca etj,janë ndër të tjera,disa nga parametrat që kushtëzojnë një qeverisje të sukseshme.Siç shprehej Xhejms Medison, “vështirësia më e madhe për të ndërtuar një sistem qeverisës të njerëzve është t’i vendosësh ata nën kontrollin e shtetit dhe më pas ta detyrosh shtetin të kontrollojë vetveten”.
 
Rama do qeverisë më mirë se Nano? Apo më mirë se Berisha?
Z.Rama dhe qeveria e re që kryeson nuk ka filluar ende nga puna sikurse ende nuk kemi një material programor përfundimtar të shkruar e të miratuar të qeverisë përvec ideve e premtimeve të kumtuara gjatë fushatës elektorale, kështu që nuk do i lejoja vetes luksin të jepja paraprakisht mendim rreth pyetjes suaj, ndërkohë që mund të bëj nja dy përsiatje e sugjerime rreth thelbit që mbartet në pyetjen tuaj dhe që ka të bëjë me mirëqeverisjen si objektiv e pritshmëri.
Z.Rama në postin e kryeministrit, siç ka kumtuar drejtpërdrejt për median, por edhe në ligjërimin e shpeshtë politik, synon të lërë emër pozitiv në histori, pra synon të jetë kryeministri më i suksesshëm, çka është objektiv i natyrshëm për çdo kryeministër rishtar apo i rizgjedhur, por që nga përvoja e deritanishme qeverisëse në Shqipëri, asnjëri nuk e ka arritur. Në planin krahasues ndërmjet qeverive paraardhëse me qeverinë e re,(ndonëse ende nuk ka filluar nga puna)që të realizohet diferenca, do veçoja dy mesazhe domethënëse që përcjell praktika dhe teoria politike dhe që mund të konsiderohen nga z.Rama, sipas të cilave: “Asgjë nuk është e mirë, nëse mund të jetë më e mirë”!(Aurel Agustin),si dhe: “Ai që do të qeverisë të tjerët, së pari duhet të zotërojë vetveten” Philip Massinger), sepse “Shembulli,ka nënvizuar Albert Schëeitzer,nuk është gjëja kryesore për të influencuar të tjerët. Është e vetmja gjë”. Mesazhet e lartëcituara si shtylla të një qeverisje të mire duhen bashkëshoqëruar me ”cilësi të larta, vetëdisiplinë, vullnet për të sakrifikuar për interesin e përgjithshëm” sikurse duhen gjithashtu “njohje, dituri”, siç shprehej Xhon Kenedi. Në këtë mënyrë njerëzve do t’u kthehet besimi, deri tani i humbur, tek institucionet, tek parlamenti, te qeveria dhe te gjithë sistemi institucional, si një hap i parë i domosdoshëm, nëqoftëse Kryeministri dhe qeveria e re do të punojnë në mënyrë serioze dhe që do bëjnë diferencën nga kryeminstrat e qeverisjet paraardhëse.
Në fund të fundit diferenca do kushtëzohet nga përgjegjësia e kryeministrit dhe e qeverisë së re sepse për qeverisjen në demokracitë bashkëkohore “Problemi thelbësor...qëndron në faktin se natyra e të vepruarit njerëzor është modifikuar aq shumë në ambientet politike dhe në fushën e moralit politik, shprehet filozofi H.Jonas, saqë është kthyer në domosdoshmëri futja e principit të përgjegjësisë në një përmasë që nuk e ka pasur kurrë më parë”.
   
Redaksia online 
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë