TIRANE - Ish-prokurori dhe kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim R.Haxhia, në pjesën e dytë të intervistës për gazetën "Shqiptarja.com" flet për sistemin e drejtësi, emërimet skandaloze në Gjykatën e Lartë, Kushtetuese, KLD dhe Avokatin e Popullit dhe se preferenca e tij për President është Fatos Nano. Njëherësh ai thotë se "Gërdeci" nuk ishte një aksident por vepër e grupeve që s'donin anëtarësimin në NATO. Sipas tij, NATO kishte lajmëruar për këtë incident një muaj përpara.

Ju keni pasur në dorë këto kohët e fundit çështje të nxehta. Ka pasur presione nga politika?
Në eksperiencën time 22 vjeçare si avokat dhe 30 vjeçare si jurist, kuptohet që të thuash se nuk ka pasur presione është që të mbulosh gjithçka me dafina. Për të qënë realist ka pasur presione. Por presioni nuk bëhet tek avokatët, rrallë bëhet. Presionet i ke tek prokuroria dhe tek gjykata. Në çështjet që ju përmendet duke marrë shkas nga çështja e "Gërdecit", kjo është një temë që nuk zgjidhet me këtë intervistë. Por vetëm mund ta përmbledh që, ata që janë të pandehur, dhe personalisht që ai që kam mbrojtur unë, Mihal Delijorgji, mund të them me plot gojën që është i pafajshëm. Eshtë fryrë dhe është spostuar përgjegjësia reale tek një person që ka bërë një biznes të ligjshëm.

Por ka pasur reagim dhe nga familjarët...?
Natyrisht që ky konkluzion nuk u vjen mirë shumë shtresave dhe familjeve, të cilat kanë mbajtur një qëndrim që nuk ka qënë dinjitoz, por që unë i justifikoj me hallin që kanë pasur. Por halli i tyre lehtësohet kur vihen përpara drejtësisë jo njerëz që nuk kanë qënë kurrë fajtorë....

Mendoni se përgjegjësia është më lart...?
Përgjegjësia është zinxhir. Në këto lloj ngjarjesh nuk ka përgjegjësi individuale. Ndërsa sot unë po bëj një deklaratë e cila nuk është bërë seriozisht, apo është anashkaluar më përpara. Ngjarja e Gërdecit nuk është aksident njerëzor, por është një ngjarje e paralajmwruar. Dhe po të citoj deklarimin e një personi të rëndësishëm në ministrinë e Mbrojtjes, në procesin e zhvilluar i cili tha: Një muaj më përpara na kanë thirrur në qendrën e NATO-s, Ministrin e Mbrojtjes dhe mua dhe na kanë thwnë tekstualisht kështu "bëni kujdes, se nga të dhënat që kemi ne nga informacionet sekrete (NATO do të thotë gjithë bota, në krye CIA), grupe individësh dhe grupe të interesuar për të minuar procesin e futjes së Shqipërisë në NATO janë të interesuar të krijojnë incidente për të ulur reputacionin e Shqipërisë si i garantuar dhe i mbështetur nga fuqitë e mëdha me në krye SHBA për t'u anëtarësuar në NATO". Dhe është e vërtetë, pas një muaji ndodhi ky incident.

Por nuk është analizuar kjo deri më tani...?
Nëse kjo do bëhej analizë, dhe kam shumë materiale në dosje që kanë shumë të dhëna, me specialistë që unë i kam kërkuar për ekspertimin hetimor, kurrë nuk ndizej baruti nga karroca, e cila ka ardhur pas 20 minutash sipas tyre. Sepse djali i atij që është vrarë dhe që pretendohet se ka sjellë karrocën thotë që babai i tij atë ditw nuk ka ardhur të saldojë karrocë në shtëpi sepse unë po lidhja hardhitë. Pra kjo është e vërteta. Dhe specialistët thonë se baruti pa dotenator nuk shpërthen. Po të shikoni me vëmendje ngjarjen që jepet nga mediat, ka një shpërthim. Edhe dëshmitarët thonë se dëgjuam një plasje pastaj zjarr. Këto janë elementë që habitem përse shteti shqiptar, përse shoqëria shqiptare, përse media shqiptare nuk e vlerësojnë këtë rrethanë.

Por ata akuzohen nga Prokuroria dhe është dhënë vendimi...?
Përsa i përket anës juridike, procesi jo vetëm që ka shkelje të tmerrshme dhe të papranueshme procedurialisht, por nuk është pranuar në asnjë rast që të pandehurit të jenë përgjegjës për këtë shkelje. Dritan Minxholli flinte aty, rrinte 24 orë aty dhe si mund ta akuzosh për vrasje atë. Ky proces tërë të keqen e ka nga prokuroria. E cila, duke mos qënë e aftë të bënte punën në afate, sepse ashtu e filloi çështjen me akuzën e shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive, dhe e kaloi në vrasje për të fituar afate më të gjata. Kushdo e kupton se kur thuhet një aksident njerëzor, ai nuk është bërë me dashje, sepse asnjë njeri nuk do që të vrasë. Por si ky proces ka pasur dhe procese të tjera në karrierën time dhe kënaqësia më e madhe është kur merr pafajsinë, më shumë se sa vetë personi të cilin mbron. Dhe po kaq emocione të mëdha provon dhe kur rri prapa derës së gjykatës që pret vendimin.

Si e vlerësoni drejtësinë shqiptare, emërimet e reja në krye të gjyqësorit dhe plotësimin e vendeve vakante në gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe në KLD?
Uhnë kam qënë fatmirësisht në grupin e teknik kur u përgatit Kushtetuta e vitit 1998 dhe kam insistuar sëbashku me kolegët e mi të stafit teknik që të vinim kritere, sa më serioze, sa më pak të manipulueshme për emërimet në Gjykatën e Lartë dhe në Kushtetuese. Pse? Sepse duke lënë kritere evazive, atëherë bëhej gjithçka. Bëra lobing atëherë me disa deputetë me kryetarin e ndjerë Sabri Godo, Majkon, Gjinushin etj që të vendoseshin kritere të qarta por nuk u dëgjuam. Dhe Godo më tha: I dashur Maks, mos kujto se këta nuk e dinë rëndësinë e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, mos kujto se këta nuk e kuptojnë çfarë do të thotë kritere, por këta vënë këto kritere, sepse që tani i kanë përcaktuar emrat se kush do të jenë. Dhe kriteret vendosen për emrat dhe jo emrat për kriteret. Pra për sa kohë të vëmë kritere që të fitojë filani dhe filani nuk ka për t'u bërë drejtësi.

Si i mendoni anëtarët e drejtuesit e këtyre gjykatave...?
Po ta shikosh me kujdes, pikërisht ata që plotësojnë minimumin e kritereve ata janë vendosur. Po të shohim Gjykatën e Lartë, pikërisht ata që kanë plotësuar minimumin e kriterit janë vendosur. Por një gjë nuk kuptoj, këta që venë në Gjykatën e Lartë, janë 9 vite, pas nëntë vjetëve ku do shkojnë. Eksperienca ka treguar se asnjë nuk mbetet i respektuar nga shtetit shqiptar, ai i lë rrugëve, qoftë anëtarët e Gjykatës së Lartë, të Kushtetueses, qoftë dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Pra unë kam qënë gjithmonë që pa 50 vjeç minimumi, nuk janë të gatshëm profesionalisht dhe për probleme të tjera për të qënë pjesë e këtyre institucioneve. Pra, duhet të jenë mbi 50 vjeç, të jenë persona me integritet, të kenë miratimin e komunitetit nga kanë ardhur, të kenë një status ekonomik dhe e fundit kush ka tituj akademik, aq më mirë dhe të mos jenë të prononcuar politikisht. Pra jo se nuk i dinë këto, por nuk duan ti bëjnë, sepse duan të vendosin njerëzit e tyre.

Keni bërë ndonjë propozim ju...?
Dhe ne, si Dhomë Avokatie i kemi kërkuar dhe Presidentit aktual që kandidatët që kalojë për Gjykatën e Lartë, nëse ka pesë vende bosh, ne si komunitet i avokatëve, i gjyqtarëve, i prokurorëve ti shikojmë dhe të themi se nga këto që kanë ardhur këta janë 10 më të mirët. Pastaj ndër 10 kandidatë, zgjedhja e pesë kandidatëve është çmimi subjektiv i Presidentit. Por i gjithë komuniteti thotë shkoi ky apo ai, por ishte në dhjetëshe ama, plotëson standrtet më të larta. Këtu plotësojnë standardet ata që s'kanë standarde, pra katapultohen njerëzit në këto pozicione dhe nuk dihet nga dolën, siç është rasti i këtij Elvis Cefës. Më vjen keq se nuk e njoh, por ai s'ka lidhje me drejtësinë. Madje nëqoftëse mendohet që do të jetë dhe nënkryetar i KLD është e tmerrshme, sepse nënkryetar i KLD duhet të jetë patjetër nga trupa e nëntshes së KLD që vjen nga gjyqësori, sepse ata e njohin më mirë gjyqësorin, e drejtojnë më mirë atë. Aq më tepër që ky nuk ka as eksperiencë avokatie, as gjyqësore, as prokurorie, pasi do marrë vendime, do jetë pjesë e vendimmarrjes.

Por nënkryetarin e KLD e propozon Presidenti...?
Aq më tepër që nënkryetari i KLD është personi më i afërt i Presidentit. Ne i dërguam një letër grupeve parlamentare, parlamentit ku u thamë që dhoma kombëtare e avokatisë të dërgojmë dhe ne disa kandidatura që të vendoset. Sot po deklaroj një qëndrim personal, që nëse duam të tregohemi të përgjegjshëm për këtë detyrë, ta stopojmë procesin e zgjedhjes së nënkryetarit të KLD. Sepse kushdo që do të shkojë në këtë post, do jetë personi bashkëpuntor më i ngushtë i Presidentit. Ky president është në ikje, dhe mendimi im është ta lënë zgjedhjen kur të vijë presidenti i ri dhe ai ta zgjedhë personin me të cilin do të bashkëpunojë. Pasi ligji e procedura e zgjedhjes së nënkryetarit e KLD thotë me propozim të Presidentit dhe miratimin e anëtarëve të KLD. Atëherë ky president do të propozojë një nënkryetar që do të punojë me presidentin e ardhshëm. S'kam gjë me kandidaturat, por duhet të jemi më të përgjegjshëm. As ata vetë nuk duhet të bëhen pjesë e një sistemi që nuk e njohin.

Po Avokati i Popullit, është zgjedhur përmes një procesi transparent nga PS...?
Në parantezë, personalisht dhe me aq sa kam parë dhe në bashkëpunim me kolegët, nuk kemi absolutisht asnjë gjë me personin konkret që tashmë është zgjedhur Avokat i Popullit. Përkundrazi, ne mund të themi fjalët më të mira. Por nëqoftëse ka proces më të përdhosur për mua, është procesi i zgjedhjes së Avokatit të Popullit. I cili, jo vetëm la një shije të hidhur por krijoi një precedent tepër tepër të rrezikshëm. Deformoi, kuptimin, rolin dhe aktivitetin e Avokatit të Popullit, vetëm e vetëm se ndërhyri politika në këtë proces. PS ka bërë një nga gabimet e saja më të mëdha, sepse Avokati i Popullit e cila është një eksperiencë e huazuar nga vendet nordike, është një figurë e cila duhet të marrë konsensusin e gjithë shoqërisë civile. Duhet të vijë nga sgoqëria civile, jo nga politika. Ai mirë që erdhi nga politika, por u bë dhe me konsensusin e dy partive të mëdha. Pra, Avokati i Popullit u politizua, është anëtar apo simpatizant i PS, kur çdo kush mund t'i kërkojë të ikë, sepse je zgjedhur nga PS dhe s'je pjesë e konsensusit të shoqërisë civile, e cila duhej të bënte përzgjedhjen dhe të dërgonte kandidaturat dhe jo PS. Prandaj politika e ka paralizuar aktivitetin e këtij institucioni që në embrion.

Kur flitet për drejtësinë, menjëherë mendja të shkjon te Presidenti që do zgjidhet. Janë disa kandidatura, Nano, Topalli, Bode, Beja etj. Mendimi juaj?
Eshtë një proces shumë i rëndësishëm, pasi është e para punës kryetari i shtetit dhe do të jetë ai që do ti lidhë të gjithë, në kuptimin në kuptimin e mirë të fjalës, do t'i bashkojë, do t'i harmonizojë, do t'i urtësojë, do t'i bëjë bashkëpunues dhe kuptohet duhet një figurë që duhet t'i ketë këto cilësi. Kandidatutat i kemi të dëgjuara dhe nuk kemi asnjë kandidaturë zyrtare. Kuptohet që çdo forcë politike kërkon të vendosë kandidaturën e vet, në kuptimin e skanimit që ka, që e realizon më lehtë. Nëqoftëse kërkohet një proces më civil, mirë do të ishte që kandidaturat zyrtare të hidheshin në shoqërinë civile. Unë kam dëgjuar shumë kandidatura dhe kam dhe unë preferencën time. Por të mos harrojmë që Presidenti është personi përgjegjës për drejtësinë, është kryekomandant i FA. Atëherë këto dy pozicione të rëndësishme, bashkë me atë që thashë që të jetë harmonizues i forcave politike për ta integtuar vendin në BE, duhet të shikohen sa janë të materializuara te kandidatura e ardhshme, dhe sa garantuese është kjo kandidaturë për t'i realizuar ato. Sepse do të gjejë një drejtësi të shkatërruar, të korruptuar, jo profesionale nga paraardhësit e tij. Gjithashtu dhe ushtria, situata politike, marrëdhëniet pozitë-opozitë, Kodi Zgjedhor dhe Zgjedhjet që janë përpara. Ne kemi nevojë për një President të tillë, por me kuadrin kushtetues që ka ky nuk e ka kopetencën e gjithashshme për të realizuara të gjitha ato veprime që thamë. Por do të jetë hapi i parë për të shkuar drejt ndryshimeve Kushtetuese.

Ndonjë preferencë...?
Përsa i përket kandidaturave konkrete, unë kam dëgjuar shumë, ka personalitete, problemi është nëse do zgjidhet ai që duhet, pasi eksperienca pak e ka treguar këtë. Fatos Nanon e preferoj pasi është shumë bashkëpunues. Me thënë të drejtën ka dhe një kontribut. Pra unë e preferoj Fatos Nanon për president, ashtu sikurse preferoj profesorë nga shoqëria civile. Por këmbëngul, presidenti i ri që do vijë duhet që të njohë shtetin. Duhet të njohë të drejtën administrative, ç'është shteti, ç'janë institucionet, si funksionon, si dhe duhet të mbajë balancën. Por eksperiencën e kemi që nëse janë pesë kandidatë në listë, zgjidhet i gjashti. Uroj që kjo të mos ndodhë.

Jeni kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, ku konsiston puna juaj dhe projektet tuaja për të ardhmen?
Unë do të bëja një paraqitje të tillë për avokatinë shqiptare. Avokatinë shqiptare unë e krahasoj pasionin e brezit të ri për fenë. Si avokatia dhe feja patën një shkëputje në Shqipëri. Pra ne nuk trashëguam aktivitet fetar, mentalitet fetar, respekt fetar. Gjë që dotë thotë që e filluam çdo gjë nga e para. Dhe ishte meritë e atyre që e përthithën dhe e përhapen dhe instaluan dhe fenë, por dhe avokatinë. Ne vijmë nga një mentalitet që e shohim avokatin bashkë me fajtorin dhe avokati barazohet shpesh me fajtorin. Dhe nëse humbet gjyqi, njëra palë gjithnjë akuzon avokatin. Sot janë 4500 avokatë të licensuar, por që e ushtrojnë aktivitetin rreth 1200 avokatë. Shumë shpejt avokatia do të bëhet një institucion shumë i madh, duke patur parasysh se ne organizojmë dy herë provime në vit, janë 17 fakultete juridike private dhe 6 publike. Pra fluksi që do të vijë është shumë i madh. Pavarësisht nga opinioni në institucione ku avokatia u është bërë pengesë, pasi gabimisht avokatia shihet si një institucion që do të ndihmojë drejtësinë, kjo nuk mund të ndodhë. Pasi ajo është për t'i marrë drejtësisë maksimalen në favor të klientit të vet.

Kur keni filluar të organizoheni...?
Ne kemi filluar nga hiçi, më 2010 kemi filluar të organizohemi, kemi krijuar regjistrat, kemi krijuar kartën e identitetit, rrobën e avokatit, kontributet financiare, kemi organizuar provimin, kemi bërë statutin, ligjin për avokatinë, kodin e etikës, kemi organizuar në të gjithë Republikën dhomat e avokatisë dhe ajo që mund të them është se jemi i vemti institucion shqiptar që jemi pranuar në BE. Pra dhoma kombëtare e avokatisë është anëtare e dhomave të avokatisë të vendeve të BE. Në këtë kuadër ne thithim gjithë eksperiencat dhe raportojmë për aktivitetet. Por mes nesh ka dhe avokatë që luajnë rolin e sekserit apo luajnë rolin e penguesit të një procesi. Por po ti analizosh dhe ata ka një të drejtë. Sepse po të shohësh një proces, ku nga 10 kërkesa që bën prokurori, pranohen 11 dhe nga 10 kërkesa që bën avokati nuk pranohet asnjë, duhet të gjejë rrugë për të përfituar, për të zgjatur për të zvarritur procesin.

Pra dhe për këtë e ka fajin gjykata...?
Pra nëse do të kishim një drejtësi me integritet moral dhe profesional, do të disiplinonte jo vetëm avokatinë por dhe prokurorinë. Nëse një avokat kur sheh drejtësi me integritet, e garanton dhe klientin, të cilit i thotë drejtën humb ose fiton. Dhe jo të hysh për të fituar dhe të humbësh dhe anasjelltas. Avokatia ka filluar procesin e bashkëpunimit me USAID-in dhe qeverinë britanike ku po ngrihet shkolla e avokatisë. Kemi krijuar qendra trajnjimi dhe asistence ne Durrës, Vlorë dhe Tiranë dhe për asistentët dhe avokatët. Avokatia ka dhe organin e vet botues, Revista e Avokatisë. Mund të them me plot gojën që avokatia në këto vite ka bërë një hop cilësor. Nuk e prish avokati gjyqësorin, një mijë avokatë nuk prishin një gjykatë, por një gjykatë prish një mijë avokatë. Por ka dhe porokurorë dhe gjyqtarë të përkushtuar dhe që duhen stimuluar nga shteti.

(jm/im/shqiptarja.com)