Një 41-vjeçar shqiptar në Larisa të Greqisë akuzohet për përdhunimin e vajzës 9 vjeçe të bashkëshortes së tij, po ashtu shqiptare.

Sipas mediave greke, 41-vjeçari dhe e shoqja ishin zhvendosur nga Tyrnavos në një fshat në Almyros dhe në verën e vitit 2023, gruaja kishte mbetur shtatzënë dhe u kthye në Shqipëri duke ia besuar 9-vjeçaren, e cila ishte fryt nga martesa e parë, bashkëshortit të saj aktual.

Ajo që pasoi do të ishte tmerr për të miturën. Jo vetëm gjatë periudhës së mungesës, por edhe pas kthimit të nënës, si dhe në pranverën e vitit 2025 (konkretisht janar-prill), njerku e detyroi 9-vjeçaren të flinte në të njëjtin shtrat me të dhe, duke e kërcënuar se do të lëndonte të afërmit e saj, dyshohet se e përdhunoi 9-vjeçaren.

9-vjeçarja nuk i tha asgjë nënës së saj sepse kishte frikë nga njerku, pasi siç theksohet në dokumente, ai e kishte kërcënuar se do të vriste anëtarët e familjes së saj, veçanërisht gjyshen nga babai dhe xhaxhain. E mitura "ndjeu frikë dhe nuk ia zbuloi këto veprime nënës së saj", thuhet më tej në dokumente.

I akuzuari i mohon akuzat dhe ia atribuon akuzat imagjinatës së të miturit. Çështja do të dëgjohet në Gjykatën Penale të Larisës tetorin e ardhshëm.