/ATSH-Z.Tosku/- Rreth 112.000 vullnetarë, nxënës, mësues e prindër, janë bërë pjesë e aksionit "Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë", i cili u zhvillua ditën e djeshme në gjithë vendin, me mbështetjen e 13 Drejtorive Arsimore Rajonale.

Në fund të këtij aksioni, zv/ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, deklaroi sot se kjo fushatë u realizua në masën 85% në gjithë sistemin arsimor, universitar dhe kryesisht atë parauniversitar.

"Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë" ishte një nismë e rëndësishme për sistemin e arsimit, pasi alternoi dy momente të rëndësishme, atë të edukimit për të ruajtur mjedisin e pastër dhe momentin e aksionit kombëtar konkret në shërbim të mjedisit", tha Malaj gjatë nje konference për mediat.

Sipas saj, kjo nismë do të vazhdojë me fushata te tjera, në drejtim të mbajtjes së mjedisit pastër dhe riciklimit të produkteve të cilat do të edukojnë te nxënësit frymën e vullnetarizmit, humanizmit dhe të qytetarisë aktive.

Fushata sensibilizuese e 'Green Tour 3', me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe adresimin e problemeve të ambientit përmes 12 Konferencave Rajonale, kulmoi ditën e djeshme me aksionin për të mbledhur mbeturinat që janë të hedhura në rrugë, parqe, lumenj, liqene, plazhe, etj.

Ministria e Arsimit dhe Sportit është partneri kryesor i nismës "Të pastrojmë Shqipërinë", me qëllim mobilizimin e nxënësve dhe fëmijëve në një aksion vullnetar njëditor për të pastruar vendin nga mbeturinat. Ky është viti i dytë që MAS mbështet këtë aksion kombëtar.