Në momentin që çmimi i naftës kalon mbi 220 lekë për litër, do të aktivizohet automatikisht ulja e akcizës me 20%. Ministri i Financave, Petrit Malaj, sqaroi për herë të parë se mekanizmi do të jetë pjesë e vendimmarrjes së Bordit të Transparencës, i cili do të përllogarisë uljen dhe do ta reflektojë direkt në çmimin final me të cilin do ta tregtojnë kompanitë me pakicë, duke e ulur atë me 8 lekë për litër.

“Mekanizmi do jetë i tillë në momentin që bordi do caktojë që çmimi i tregtimit me pakicë do jetë 221 lekë, në atë moment merret vendimi që çmimi i shitjes do jetë 221 lekë minus reduktimin e akcizë 20%, pra do të jetë 213 lekë. Kjo do bëhet me baza ditore, kur çmimi kalon mbi 220 lekë, do kemi një reduktim të çmimit me pakicë me 8 lekë. Kur çmimi do jetë nën 220 lekë, do jetë çmimi që ka përcaktuar Bordi”, tha Malaj.

Ministri theksoi se nëse do të jetë e nevojshme te merren paketa ndihmëse për shtresat në nevojë për shkak të krizës në Lindjen e Mesme, qeveria do t’i marrë të gjitha masat.

“Situata është në monitorim, jemi në bashkërendim me ministritë e linjës. Nëse do nevojitet të ketë ndërhyrje, për të prezantuar paketat ndihmëse, do ti marrim të gjitha masat e nevojshme dhe vetë rezultatet na e mundësojnë këtë gjë”, theksoi Malaj.

Malaj bëri me dije se pas turizmit, ndërtimi dhe tregut të hidrokarbureve, do të nisë kontrolli për formalizimin e sektorit mjekësor dhe atij të kujdesit personal e estetik, të cilët konsiderohen me risk të lartë për evazion.

“Hapi i radhës do jetë kontrolli i sektori mjekësore dhe atij të kujdesit personal dhe estetik. Sektorë që e kemi identifikuar me risk të lartë dhe do jetë objekt i punës së administratës tatimore në muajt në vijim”, tha Petrit Malaj.

Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, tha se kontrolli në këtë sektor do të shoqërohet edhe me masa konkrete për deklarimin e pagave dhe duke nisur nga 1 prilli do caktohen pagat dysheme.

“Do të kryejmë kontrolle për tatimpaguesit që do të vijojnë në shërbimin mjekësor, për rreth 10 mijë tatimpagues dhe 45 mijë të punësuar. Më 1 prill do të publikohen pagat indikativë”, theksoi drejtori i Tatimeve, Ilir Binaj.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se për periudhën janar-shkurt janë mbledhur 130 miliardë lekë, ose 11.5% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ndërsa theksoi se kjo ecuri pozitive pritet të vijojë edhe në muajt në vijim.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:35
Binaj: 130 mijë DIVA të dorëzuara, presim që numri të shkojë deri 180 mijë

Drejtori i Tatimeve Ilir Binaj thotë se deri më tani janë 130 mijë qytetarë që e kanë plotësuar deklaratën e të ardhurave personale (DIVA). Ai tha se presin që ky numër të shkojë deri në 180 mijë.

“Procesi ka qenë pozitiv, me disa probleme të vogla. Numri për deklaratën e të ardhurave personale ka 130 mijë tatim pagues, deri në fund besoj se arrin 180 mijë. Ka pasur pyetje të shumta. Tatimet i kanë i informuar vazhdimisht, nga ana tjetër dhe mediat kanë qenë goxha suportuese në këtë proces”, tha Binaj.

Ora 13:29
Paketa e Paqes Fiskale/ Malaj: Janë hartuar të gjitha aktet, presim ‘ok’ nga KE

Ministri i Financave, Petrit Malaj thotë se janë bërë të aktet nënligjore për paketën e paqes fiskale.

Në një konferencë për mediat, Malaj tha se “duke qenë se janë dy ligje të diskutueshme, aktet i kemi përcjellë të partnerët ndërkombëtare dhe po presim komente. Në momentin që do marrim përgjigje do vijojmë me publikimin dhe implementimin e tyre.”

Ora 13:20
Malaj: Kur çmimi i naftës kalon 220 lekë, Bordi do të ulë me 8 lekë akcizën

Ministri i Financave, Petrit Malaj ka shpjeguar për gazetaren e Report Tv, Eliza Gjediku se si do të funksionojë ulja me 20% e akcizës së naftës, nëse çmimi e kapërcen 220 lekë për litër. Ai thotë se ulja e akcizës, prej 8 lekësh, do të llogaritet nga vetë Bordi i Transparencës në momentin që çmimi kalon 220 lekë për litër dhe bizneseve u komunikohet çmimi i reduktuar i tregtimit me pakicë prej 213 lekësh. 

“Mekanizmi do jetë i tillë në momentin që bordi do caktojë që çmimi i tregtimit me pakicë do jetë 221 lekë, në atë moment merret vendimi që çmimi i shitjes do jetë 221 lekë minus reduktimin e akcizë 20%, pra do të jetë 213 lekë. Kjo do bëhet me baza ditore, kur çmimi kalon mbi 220 lekë, do kemi një reduktim të çmimit me pakicë me 8 lekë. Kur çmimi do jetë nën 220 lekë, do jetë çmimi që ka përcaktuar Bordi”, tha Malaj.