TIRANE- Komandanti i seksionit special në Gardën e Republikës Agron Malaj i është drejtuar gjykatës së Tiranës, ku ka kërkuar ndryshimin e urdhërit të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri që e lironte nga detyra. Padia civile e Malaj është bërë në datën 30 Tetor dhe shorti elektronik për gjykimin e saj ka zgjedhur gjyqtaren Enkela Vlora. Kjo e fundit në 24 dhjetor ka vendosur të shpallë moskompetencën e kësaj padie dhe çështjen penale tia kalojë për gjykim të mëtejshëm, Gjykatës Administrative.

Në objektin e padisë thuhet se kërkohet anullim i urdhërit numër 581 datë 18 tetor 2013 të Ministrit të Brendshëm. Detyrimin e të paditurve që të paguajnë pagën e 20.5 muajve për zgjidhje të menjëhershme e të pajustifikuar të kontratës së punës, për shkelje të procedurës, të afatit të njoftimit dhe për vjetërsi në punë. Agron Malaj, ka qënë një nga komandantët e grupit të zjarrit që kanë qëlluar me plumba luftarak në 21 janar. Malaj nuk ka qënë asnjëherë i dyshuari i prokurorisë, por është thirur në procesin “21 janari” si dëshmitar i akuzës.

Mësohet se ende në Gjykatën Administrative vijon gjykimi i kësaj çështje. Sipas burimeve pranë Gardës së Republikës. Agron Malaj është larguar me urdhër të ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri. Burimet shprehen se vendimi për shkarkimin e tij është marrë pasi ka qënë i dypunësuar në Gardë dhe në një aktivitet privat që ka familja e tij. Mirëpo me këtë argument nuk është pajtuar ish-efektivi i Gardës së Republikës, i cili ka paditur në gjykatë, duke kërkuar rikthimin në vendin e mëparshëm.

Shkrimi u publikua sot (23.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)