Malësi e Madhe - Një 22-vjeçar banues në fshatin Zagorë ka rënë në prangat e policisë pasi dyshohet se gjatë këtij muaji ka vjedhur dy automjete në fshatin Selcë.
I riu u kap një ditë më parë teksa ishte duke lëvizur me Volkswagen”, të cilin dyshohet se e ka vjedhur dy ditë më parë.
Ndërkohë makina tjetër e vjedhur u gjet e parkuar pranë banesës së tij.
“Si rezultat i punës së pandërprerë hetimore për parandalimin dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjes dhe të veprimtarive të tjera kriminale, si dhe për kapjen e autorëve të tyre, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe kanë arrestuar shtetasit:
-M. Gj., 22 vjeç, banues në fshatin Zagorë. Ky shtetas u kap në flagrancë dje, duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen”, të cilin dyshohet se e ka vjedhur më datë 15.03.2026, në fshatin Selcë. Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka vjedhur një tjetër automjet, në fshatin Selcë, më datë 03.08.2025, i cili u gjet i parkuar përpara banesës së tij”, njoftoi sot policia.
Në pranga kanë rënë gjithashtu edhe 2 xhaxhallarët e 22-vjeçarit. Policia njofton se në shtëpinë e tyre gjetën gjetën 2 armë gjahu (çifte) që i mbanin pa leje dhe 1 kg e 150 gramë lëndë të dyshuar kanabis.
“-B. Gj., 39 vjeç, dhe E. Gj., 35 vjeç, të dy banues në fshatin Zagorë, pasi gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë iu gjetën 2 armë gjahu (çifte) që i mbanin pa leje dhe 1 kg e 150 gramë lëndë të dyshuar cannabis sativa.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e veprimtarive kriminale të këtyre shtetasve”, thuhet më tej në njoftim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.
______________
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











