Gjatë kësaj jave, kryeministri Albin Kurti pritet tu dërgojë ftesa për takime partive opozitare për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e kreut të shtetit, pavarësisht disa raundeve të pasuksesshme të takimeve me dy partitë kryesore, PDK-në dhe LDK-në. Siç raportojnë mediat e Kosovës, ftesa e Kurtit ka mbetur e ngrirë pasi PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja refuzojnë takime të tilla në rrethanat aktuale, derisa Gjykata Kushtetuese po shqyrton dekretin e presidentes për shpërndarjen e kuvendit.

Pak ditë më parë Partia Demokratike tha se duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme për pezullimin e  procesit të zgjedhjes së presidentit dhe çdo veprimi të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, deri më 31 mars.

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, e quajti ftesën e Kurtit jo serioze. Në një intervistë për gazetën Express, Behrami tha se Kurti po synon të kompensojë kohën e humbur pasi ka dështuar të arrijë marrëveshje politike para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

“Ftesa është tepër jo serioze sepse kryeministri Kurti ka pasur muaj kohë për të thirrur të gjitha partitë politike dhe për të gjetur një konsensus për emrin e presidentit. Tani ai nuk mund ta kompensojë këtë kohë në sekondat e fundit dhe duhet të respektojë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Vetëm pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese mund të ketë takime, nëse ajo e lejon. Ne besojmë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, pasi kuvendi ka dështuar të zgjedhë presidentin. LVV-ja ka një traditë skandaloze për të bërë presion mbi Gjykatën Kushtetuese, për të demonizuar të gjithë gjyqtarët e saj dhe për të mos pranuar vendimet e saj.”, tha Behrami.

Edhe kryetari i LDK-së tha se ishte i gatshëm ta takonte Kurtin, një orë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, por jo  më herët.

“Duke qenë se çështja e zgjedhjes së presidentit është tashmë në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kuptojmë se koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj” tha ai për mediat.

Ndërsa, Besnik Tahiri i AAK-së akuzoi Kurtin se me këto takime po përpiqet të  “përmbysë narrativën e bllokadës që e ka krijuar vetë dhe për të dërguar presion ndaj Gjykatës Kushtetuese.”

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, akuzoi Kurtin si shkaktar të krizës dhe ftesat e tij për takime i quajti lojëra.

“Unë më shumë e shoh si një lojë të kryeministrit Kurti, sepse po dëshiron që ta çorientojë pak edhe konfliktin që ka me presidenten Osmani, sepse ne e dimë shumë mirë se Gjykata Kushtetuese, pa e dhënë një vendim deri më 31 mars, ne nuk kemi të drejtë të ndërmarrim asnjë veprim më tutje. Kjo po shihet si një lojë e Kurtit që, nëse shkojmë në zgjedhje, ta fajësojë opozitën për moszgjedhjen e presidentit. Kryeministri Kurti po dëshiron që ta marrë nën udhëheqje edhe postin e presidentit”, tha Bytyqi.

Vetë Kurti ka thënë se pret që Kushtetuesja të dalë me një përgjigje sa më shpejt e Kuvendi të funksionalizohet, që të mos shkohet në zgjedhje të reja, të cilat i quajti të panevojshme. Ndërkaq, në lidhje me situatën ka reaguar edhe ambasada e Gjermanisë në Kosovë, duke i kërkuar autoriteteve të  respektojnë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese sapo të merret ai .

Kosova po përballet sërish me bllokim institucional pasi Kuvendi është pezulluar dhe pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Kriza u thellua më 6 mars, kur presidentja Vjosa Osmani dekretoi shpërndarjen e Kuvendit, vetëm një ditë pasi deputetët dështuan të zgjedhin presidentin e ri të vendit. Dekreti u sfidua në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, me argumentin se bie ndesh me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme deri më 31 mars, duke bllokuar çdo aktivitet parlamentar. Kjo do të thotë se Kuvendi nuk mund të mblidhet as për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërkohë që mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 5 prill. Situata ka ngritur shqetësime edhe tek partnerët ndërkombëtarë, të cilët theksojnë se përparimi i Kosovës në rrugën drejt integrimit euroatlantik kërkon institucione plotësisht funksionale dhe stabilitet politik.