Partitë opozitare në Mal të Zi nuk lejuan mbajtjen e seancës së parlamentit të premten, duke penguar interpelancën e Kryeministrit malazez. Opozita kërkon anulimin e vendimit që lidhet me nxjerrjen në pension të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, të cilin ajo e konsideron si “puç kushtetues”. Përplasjet politike në Mal të Zi vijnë pas Konferencës Ndërqeveritare të mbajtur në Bruksel, ku Mali i Zi mbylli tre kapituj. Që nga hapja e negociatave për anëtarësim në BE në vitin 2012 e deri më tani, Mali i Zi ka mbyllur gjithsej gjashtë kapituj.
Në seancën e Komisionit Kushtetues të Parlamentit të Malit të Zi u aktivizua një tymuese që shkaktoi incident duke e ndërprerë punën e Komisionit. Ky moment ndodhi gjatë një debati të tensionuar mes opozitës dhe pushtetit lidhur me plotësimin e kushteve për pension të tre gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Debati përfshinte edhe çështjen nëse duhet shpallur një thirrje publike për zgjedhjen e pasuesve të tyre.
Përfaqësuesi i opozitës malazeze, Milosh Konatar kërkoi ndërprejen e seancës parlamentare duke theksuar se nuk do ta lejojnë shkeljen e qytetarëve dhe të shtetit të Malit të Zi.
“Nuk do të lejojmë shkeljen e shtetit të Malit të Zi dhe të qytetarëve të tij. Duhet të jeni të sigurtë se këmbëngulja jonë është shumë serioze,” tha zoti Konatar.
Ndërkaq kryetari i Parlamentit Andrija Mandiç, i cili përfaqëson partitë pro-serbe në Mal të Zi i sugjeroi opozitës se nëse mendojnë se është shkelur Kushtetuta, duhet t'i drejtohen Gjykatën Kushtetuese.
“Ekziston vetëm një institucion dhe ai është Gjykata Kushtetuese. Kush mendon se është shkelur kushtetuta le t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”, tha zoti Mandiç.
Analistët në Mal të Zi paralajmërojnë për një krizë të re kushtetuese pasi kryetari i Parlamentit të Malit të Zi Andrija Mandiç, duke iu referuar konkluzioneve të Komisionit Kushtetues, deklaroi se gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese u ka mbaruar mandati.
Vendimin e kundërshtoi edhe presidenti malazez, Jakov Milatoviç, i cili tha se Komisioni Kushtetues në mënyrë të kundërligjshme po merr juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese dhe se po cenohet rendi kushtetues dhe juridik në vend.
“Mbetet e paqartë pse Komisioni Kushtetues i Parlamentit të Malit të Zi, duke krijuar praktika të ndryshme në të njëjtat çështje juridike, kërcënon sigurinë juridike dhe në mënyrë të paligjshme ka marrë juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese”, tha presidenti malazez Milatoviç.
Këto fërkime të ashpra politike vijnë menjëherë pas Konferencën Ndërqeveritare të mbajtur në Bruksel, ku Mali i Zi mbylli tre kapituj duke bërë gjithsej gjashtë që nga hapja e negociatave të anëtarësimit në BE në vitin 2012.
Gjithçka ishte gati që Mali i Zi të mbyllte kapitullin "Politika e Jashtme, Siguria dhe Mbrojtja". Megjithatë, Kroacia, fqinj i Malit të Zi, nuk dha pëlqimin e saj për shkak të "çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës së kaluar./VOA