Mali i Zi po përballet me disa vatra të mëdha zjarri që kanë përfshirë pesë bashki të vendit, ndërsa autoritetet kanë angazhuar forca të shumta nga toka dhe ajri për të vënë situatën nën kontroll.

Sipas autoriteteve malazeze, zjarret janë aktive në Herceg Novi, Ulqin, Nikshiq, Kotor dhe Bar. Zonat më problematike mbeten Herceg Novi, ku flakët kanë përfshirë aksin Baošići–Bijela–Zelenika, dhe Ulqini, ku zjarri vijon në zonat Vladimir, Klezna, Gaç, Zoganje dhe Briska Gora.

Ministri i Brendshëm, Danilo Sharanoviç, deklaroi se prioritet i operacionit është mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurive natyrore, ndërsa të gjitha kapacitetet po përqendrohen në zonat ku situata është më kritike.

Për shuarjen e flakëve në Ulqin janë angazhuar një avion Antonov AN-32P dhe një helikopter i Ushtrisë së Malit të Zi, ndërsa në Herceg Novi po operojnë dy avionë zjarrfikës AT-802. Në terren ndodhen gjithashtu 14 ushtarë, tre automjete zjarrfikëse dhe mjete të tjera të ushtrisë.

Ndërkohë, Komandanti i Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Slavko Tadiç, bëri të ditur se zjarret më të mëdha pyjore që kishin përfshirë zonën e Nikshiçit gjatë ditëve të fundit janë vënë nën kontroll pas ndërhyrjeve të pandërprera në terrene të vështira.