MALI - Ekstremistët islamikë të Al Kaedas kanë liruar Serge Lazareviç, pengun e fundit francez të cilin e kishin rrëmbyer atë në Mali rreth 3 vjet më parë.

Biznesmeni 50-vjeçar me shtetësi franceze dhe serbe është shfaqur në një video në internet nga rrëmbyesit e tij teksa kërkon lirimin e tij.

“Kam një apel për presidentin francez dhe e di që ai do të bëjë të pamundurën për të më liruar mua. Unë jam shumë i sëmurë, vuaj nga veshkat, presioni i lartë i gjakut dhe astma. Ju zoti President jeni përgjegjës për gjithçka që më ndodh mua. Unë jam pengu i fundit francez, por shpresoj të mos jem personi i tetë në listën e francezëve të vrarë”.- shprehej Serge Lazareviç në kohën kur ishte peng.

Lajmi për lirimin u njoftua nga Presidenti francez François Hollande i cili tha se Franca tani nuk ka më pengje në pritje për t’u liruar.

Serge Lazareviç ishte kapur peng së bashku me gjeologun francez Philippe Verdon, i cili u vra nga ekstremistët vitin e kaluar në shenjë hakmarrje për ndërhyrjen ushtarake franceze në Mali.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)