Malinconia’ një koncert mes emocionesh, ku eleganca e belcantos hap udhën drejt dramacitetit të verizmit, erdhi në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Pianistja Etrita Ibrahimi dhe sopranoja Simona Karafili përcollën përjetime të veçanta artistike, duke sjellë në skenë ku sollën autorë të mëdhenj të muzikës klasike.

“Koncerti është i veçantë për shumëllojshmërinë e materialeve që ka, për epokat që bashkon pasi interpretojmë vepra nga Verdi, Puçini, Masne, Donizetti, Belini e Shopen.”, tha pianistja Etrita Ibrahimi.

Përmes veprave të ndryshme, nga më të njohurat e repertorit vokal dhe instrumental, ky recital shënoi edhe rikthimin në skenë të sopranos Simona Karafili, e cila solli për publikun romanca dhe arie të repertorit operistik që nga periudha e romantizmit europian në shekullin XIX deri në krijimtarinë e fillim shekullit XX.

“Unë rikthehem pas dy vite e gjysmë shkëputje nga skena si soliste. Është një emocion i jashtëzakonshëm, sepse rikthimet kanë vështirësitë e tyre, por edhe bukuritë dhe emocionet legjitime.”, tha sopranoja Simona Karafili.

“Simona është një soprano e re në moshë, por me një vokal shumë premtues. Ajo shquhet për inteligjencën artistike dhe përzgjedhjen e repertorit. Rikthimi i saj vjen me një ndryshim të jashtëzakonshëm në mënyrën e të kënduarit dhe kjo do të jetë surpriza për publikun.”, shtoi Ibrahimi.

Një nga veçantitë e programit ishte përfshirja e veprave më pak të interpretuara në formate koncertale, si dhe ndërthurja e repertorit operistik me atë pianistik.

“Kemi një premierë në program, arien e Marisë nga opera ‘Maria Stuarda’ e Donizetit. Gjithashtu kemi variante për piano të intermezos nga ‘Manon Lescaut’ dhe ‘Thaïs’, si dhe një nokturn të famshëm nga Shopen.”, tregoi pianistja Ibrahimi.

Ibrahimi thekson se përtej çdo klasifikimi të publikut, arti i mirë është ai që krijon lidhjen e vërtetë me dëgjuesin, mendim të cilin e ndan edhe sopranoja Karafili.

“Unë nuk mendoj që ekziston publiku i zgjedhur. Ekziston arti i mirë dhe i realizuar me sinqeritet. Publiku meriton maksimalen dhe ne jemi ata që duhet t’i japim gjithçka.”, tha Karafili.

“Malinconia” erdhi si një dialog i ndjerë mes zërit dhe pianos, ku çdo frazë muzikore ishte pjesë e një udhëtimi artistik, që lëviz nga ëndrra drejt pasionit dhe që rikujton fuqinë e muzikës për të prekur thellë shpirtin e publikut.