Një ditë para vizitës së kryeministrit Edi Rama në Beograd, Shkëlzen Maliqi, këshilltar i kryeministrit për Rajonin ka shuar disa pikëpyetje. I ftuar në studion e A1 Report , ai tha se vizita e nesërme është e përgatitur në çdo detaj.
 
“Ekipet kanë punuar intensivisht këto ditët e fundit për vizitën, janë përgatitur deri në detaje. Nesër në mëngjes nisemi pasnesër kthehemi në Tiranë. Për këtë vizitë është punuar për gati 1 vit” deklaroi Maliqi.
 
Sipas tij nga kjo vizitë nuk pritet shumë dhe më tepër do të thyej akullin mes dy vendeve. “Ata kanë frikë se mos mesazhet e Ramës do të jenë të papëlqyeshme për ta. Rama nuk është ndonjë eksponent i ekstremizmit që ata të frikësohen. Ata kanë frikë për çështjen e sigurisë, e sidomos në Preshevë. Nuk pres shumë, do të nënshkruhen disa marrëveshje protokollare. Më shumë është për të thyer akullin. Ka qenë anomali ajo që ka ndodhur që për 70 vjet të mos ketë këto marrëdhënie të nivelit të lartë. Duhet që kjo  të tejkalohet” deklaroi këshilltari i kryeministrit për rajonin.
 
E sa i përket vizitës në Preshevë, Shkëlzen Maliqi tha se nëse nuk do të lejohej që Rama të shkonte aty, do të ishte anuluar  vizita në serbi.
 
“Presheva ka qenë prezente që nga fillimi i përgatitjeve. Nuk do të realizohej vizita nëse nuk do të ishte kjo ndalesë. Është një pjesë e politikës që ka kryeministri Rama për rajonin, atje ku ka shqiptare për ti bërë pjesë e integrimit.  Do të bisedohet çështja e të drejtave të shqiptarëve të Preshevës.  Ka shumë marrëveshje që nuk janë realizuar, shqiptarët në Luginë nuk ndihen të sigurt dhe nuk kanë të gjitha të drejtat që iu takojnë. Në Beograd do bëhet një lloj avokature për të drejtat e tyre”, deklaroi Maliqi.  
 
 
Sa i përket çështjes së Kosovës, ai tha se kryeministri Rama do të kërkojë në një farë mënyre njohjen e pavarësisë. Ndërsa për takimin me presidentin serb, Tomislav Nikoliç, Maliqi tha se nuk ka qenë dëshirë e të dy palëve.





Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)