Një fitore për demokracinë dhe për demokratët. Jo vetëm zgjedhja e kryetarit të parë mysliman në historinë e New Yorkut. Në të njëjtën ditë, dy demokrate u bënë guvernatore në New Jersey dhe Virginia. Para së gjithash, demokracia është gjallë dhe e shëndoshë në kombin që e ruan prej 250 vitesh. Nekrologjitë e lirisë në Republikën amerikane ishin të parakohshme.

Nëntë muaj pas marrjes së detyrës, Trump tashmë pëson një disfatë ndër elektorat. Kjo i shtohet shumë sinjaleve të tjera të ardhura nga anti establishmenti institucional: Kongresi i bllokon buxhetin, gjykatat i rrëzojnë ligjet, mediat e kundërshtojnë, dhe shtete të mëdha si Kalifornia, falë federalizmit, i kundërvihen.

Nëse demokracia mbijeton — edhe pse kaotike dhe e çrregullt — çfarë mund të thuhet për partinë demokratike? Votimi jep shpresë se rilindja mund të përkthehet në një fitore pas një viti, në zgjedhjet legjislative të mesmandatit, duke e vendosur Trumpin në pakicë në Kongres.

Optimizmi ushqehet nga disa sinjale të rëndësishme. Në New York, pjesëmarrja e lartë e të rinjve pas “uraganit Mamdani”. Në Virginia, fituese është Abigail Spanberger, ndërsa në New Jersey është Mikie Sherrill. Dy gra të reja, të dyja me kredenciale patriotike. Spanberger, përpara se të hynte në politikë, ishte funksionare e CIA-s. Sherrill ishte pilote ushtarake helikopterësh në U.S. Navy. Dy profile të përsosura për të ndjekur elektoratin punëtor që kishte kaluar te republikanët. Dy figura në antipod me Mamdanin.

Ky “unitet në diversitet” mund të tërheqë elektorate të shumta në Amerikat e shumta dhe të ndryshme. Edhe pse për presidencialet e 2028-s do të duhet të gjendet një sintezë.

Një tjetër arsye për optimizëm: fitoret në New York, New Jersey dhe Virginia kanë pasur të përbashkët konkretësinë. Socialisti Mamdani, në fjalimet e tij, ka folur më shumë për koston e jetesës sesa për Trumpin. Ai nuk ka bërë fushatë me sloganin “ta shpëtojmë Amerikën nga fashizmi”, por me “ta shpëtojmë fuqinë blerëse dhe mundësinë për të gjetur një shtëpi”. Trump po humbet mbështetje jo sepse është diktator, por sepse kishte premtuar mrekulli ekonomike që nuk po i realizon.

Nuk pati apokalips tarifash (madje edhe ultra-liberalja Wall Street Journal pranon se kishte gabuar në parashikime), por problemi i inflacionit mbetet po aq i rëndë sa në katërvjeçarin e Joe Biden: ishte vendimtar në disfatën e Kamala Harris. Inflacioni është 3%, nuk ka tronditje nga tarifat, por rritjet e forta njëherëshe gjatë pandemisë kanë çuar të gjitha çmimet shumë lart.

Gjithçka tjetër është dytësore. Latinët në East Harlem që votuan për Mamdanin nuk lexojnë editorialet antifashiste të New York Times, nga agjenda LGBTQ+ e Mamdanit nuk ndajnë asnjë presje, aq më pak kuptojnë pse kryebashkiaku i ri vazhdon të denoncojë “islamofobinë” e këtij vendi. Por qiratë dhe sigurimi shëndetësor kushtojnë shumë, mishi po ashtu, dhe nga mrekullia e Trumpit në nëntë muaj nuk kanë parë asgjë.

Tani Trump do të përdorë Mamdanin. Ai shpreson që New Yorku të kthehet në një “San Francisko të madh”. Qyteti i Kalifornisë, në fazën më të keqe të degradimit të tij, ishte vitrina e teprimeve të së majtës ekstreme: kampingje të përhapura për të pastrehët, rekord vdekjesh nga mbidozat në trotuare, boom kriminaliteti, liri e tepruar gjyqësore. Para se të rinjtë e New York-ut të dashuroheshin me Mamdanin, në bregun tjetër bashkëmoshatarët e tyre digjitalë të Silicon Valley ishin spostuar djathtas, të lodhur nga keqqeverisja kaliforniane. Ja pse Barack Obama po hyn në lojë. Përqafimi i tij ndaj Mamdanit është një përpjekje për ta bashkuar, udhëhequr dhe këshilluar.

Fillon përpjekja për ta “obamizuar” 34-vjeçarin indiano-ugandez. Edhe karizmatiku Obama, në fillim u perceptua si revolucionar, por më pas u tregua më i moderuar. Kështu qëndroi tetë vjet: që nga dje, ai po ia shpjegon këtë të riut nga New York-u. Mamdani ka bërë disa hapa në atë drejtim, duke takuar kapitalistë të Wall Street-it dhe biznesit të pasurive të paluajtshme. Edhe pse New York-u ka popullsinë e Belgjikës dhe PBB-në e Kanadasë, do të ketë nevojë për ndihma për planet e tij (banesa sociale, autobusë falas, kujdes falas për fëmijët, supermarkete komunale). Me paratë vijnë aleanca, kompromise, pragmatizëm. Të rinjtë ndoshta do të zhgënjehen, por rruga për të ndërtuar epokën pas-Trump nuk do të kalojë përmes ekstremizmit./Corriere della sera