Kurbin- Policia e Kurbinit ka parandaluar sot një krim të mundshëm në familje, teksa arrestoi 45-vjeçarin e dyshuar dhe zbuloi një arsenal me armatime dhe municione që mbaheshin pa leje.
Gjatë kontrollit u sekuestruan 2 armë gjahu dhe 455 fishekë. Gjithashtu, Policia i plotësoi 38-vjeçares denoncuese edhe kërkesë-padinë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
“Si rezultat i reagimit të Komisariatit të Policisë Kurbin, menjëherë pasi një 38-vjeçare kallëzoi se dhunohej nga bashkëshorti i saj, u mundësua kapja dhe arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi, konkretisht Sh. R., 40 vjeç, banues në Mamurras. Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale, u krye kontroll në banesën e të arrestuarit, ku u gjetën 2 armë gjahu, 300 fishekë automatiku dhe 155 fishekë pistolete, që mbaheshin pa leje, nga 40-vjeçari”, tha policia vendore.
Pas veprimeve të kryera, dosja i kaloi për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Lezhës, për veprat penale “dhuna në familje”, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.