Ministria e Shëndetësisë në një lidhje direkte për Report Tv nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore raportoi për gjendjen dhe situatën me të cilën po përballet shërbimi shëndetësor në kryeqytet dhe në rrethe.

Ministrja u shpreh se po e ndjekin situatën me seriozitet: “ Situata gjatë 48 orëve të fundit është ndjekur me shumë seriozitet nga strukturat e sistemit shëndetësor, ku 5 spitale Universitare dhe 11 spitale rajonale janë në dispozicion 24 orë”, u shpreh Manastirliu.

Manastirliu shtoi se nga ana e shërbimit shëndetësor janë marrë masa duke ngritur ekipet e emergjencës dhe për këtë po bashkëpunojnë me policinë dhe Forcat e Armatosura.

Ndërkohë ministrja deklaroi se Shërbimi Kombëtar i Urgjencës po ndjek të gjitha misionet që po kryhen dhe helikopterët kanë kryer dy misione shpëtimi në Zall Bastar dhe në fshatin Nojë.

Sakaq, në drejtim të shërbimit shëndetësor janë drejtuar 1216 thirrje për ndihmë dhe nga ana e stafit mjekësor janë kryer 202 misione shpëtimi, ku 1500 mjekë dhe infermierë janë në terren për të përballuar situatën.

Stafi mjekësor, bashkë me shoferë të ambulancave po ofrojnë shërbime shëndetësore në banesa apo qendra ku janë grumbulluar të evokuarit.

Po ashtu ministrja tha se deri më tani janë shtuar ambulancat dhe personeli por ato janë në kontakt për të shtuar forca të tjera nëse ka nevojë për personel shëndetësor apo medikamente.


Redaksia Online
a.dr/shqiptarja.com