Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ndërsa ka pranuar se situata me pandeminë është nën kontroll, sërish bën thirrje për kujdes.
Në Facebook, ku ka postuar një foto të mjekëve e infermierëve të spitaleve Covid, Manastirliu shkruan se ata vijojnë të shërbejnë me të njëjtin përkushtim e profesionalizëm, por shton se nevojitet ndihma e të gjithëve 'në këto metra të fundit drejt daljes nga tuneli i pandemisë'.
Pas më shumë se 14 muajsh pandemi, Manastirliu thotë se tashmë rastet e reja të shtrimeve në spital po ulen çdo ditë e më tepër.
"Mjekët dhe infermierët e spitaleve COVID vijojnë të shërbejnë me të njëjtin përkushtim e profesionalizëm për çdo pacient që në këto momente ka nevojë për kujdes spitalor.
Pas më shumë se 14 muajsh pandemi, situata në spitale është e kontrolluar, ndërsa rastet e reja të shtrimeve në spital po ulen çdo ditë e më tepër
Por ka ende nevojë për kujdes, ndaj t’i ndihmojmë së bashku ekipet mjekësore, në këto metra të fundit drejt daljes nga tuneli i pandemisë", shkruan Manastirliu.
Situata me pandeminë është përmirësuam ndjeshëm në vendin tonë, ku në 24 orët e fundit u regjistruan vetëm 23 raste të reja, ndërsa fatkeqësisht humbi jetën një person.