Gjashtë gola sot, tetë në total në dy ndeshje, 6 pikë dhe në krye të renditjes. Manchester City i ka bërë një nisje shumë të mirë sezonit të ri në Premier League, duke fituar edhe sot në shtëpi 6-1 ndaj Huddersfield.

Heroi i ndeshjes ishte Kun Aguero, i cili ka shënuar tripletën e 13-të me Qytetarët, por kanë shkëlqyer edhe Mendy dhe David Silva.

Ndeshja nisi menjëherë mirë për të besuarit e Pep Guardiola-s. Goli i parë erdhi në minutën e 25’ kur Ederson nis një top të gjatë për argjentinasin Aguero, i cili pas driblon një kundërshtar, lëshon një goditje me klas në hyrje të zonës mbi kokën e portierit.

Spektakli kishte filluar dhe pak më vonë erdhi goli i Gabriel Jesus. Pak përpara se të përfundonte pjesa e parë Aguero shënon dopietën e tij pas gafës së portierit të Huddersfield.

Miqtë ngushtojnë diferencën me Stankovic dy minuta para pushimit, por ishte një gol sa për statistikë, pasi në pjesën e dytë City nuk e uli ritmin duke shënuar edhe tre gola të tjerë me anë të David Sliva nga goditja standarde, Aguero dhe autogoli i Kongolo.

Një City i frikshëm, që vërteton edhe njëherë se është favoriti kryesor për të mbrojtur titullin kampion të Premier League.