Mandatet, PS: Rrezikohet të
rikthehet fenomeni i Dushkut

Mandatet, PS: Rrezikohet të<br />rikthehet fenomeni i Dushkut
TIRANE - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi të fuste në rendin e ditës kërkesën e tre anëtarëve të majtë për të rivotuar ndarjen e mandateve parlamentare për zgjedhjet e ardhshme. Në mbledhjen e sotme ku nuk munguan tonet e ndezura, kryetarja Lefterie Lleshi e quajti të jashtëligjshme dhe antikushtetuese kërkesën, duke gjykuar se tashmë KQZ është shprehur me një votim dhe çështja i ka kaluar parlamentit. 

Nënkryetari Biba dhe përfaqësuesit socialistë nënvizuan se po shkelet ligji dhe po rrezikohet të përsëritet fenomeni i Dushkut. Nga ana tjetër Lleshi dhe anëtarët e djathtë akuzuan kolegët e majtë se kanë politizuar KQZ-në me qëndrimet e tyre dhe i kërkuan atyre që të kërkojnë ndjesë publikisht. Anëtarja Vera Shtjefni shtoi dhe më tej duke akuzuar kolegët Biba e Shtylla se po nxisin "një konflikt institucional mes KQZ-së dhe Kuvendit".  Biba tha se e vetmja gjë për të cilën u kërkojnë falje shqiptarëve, është se si anëtarë të KQZ-së nuk kanë më fuqi ligjore për të vepruar më tej mbi këtë cështje. Një tjetër shqetësim i ngritur në mbledhjen e sotme nga ana e kreut të sekretariatit zgjedhor të PS-së në KQZ-zë, Genc Gjonçaj, kishte të bënte me lëvizjet demografike, sipas tij, të qëllimshme, të bëra në prag zgjedhjesh.

MBYLLJA E MBLEDHJES, GAZETARET KERKOHET TE NXIRREN JASHTE

Në orën 13:10 kur Biba rikërkoi fjalën për të replikuar, Kryetarja Lleshi mbylli mbledhjen. Ndërsa sekretarja e Përgjithshme i kërkonte gazetarëve që të dilnin nga salla, n/kryetari Biba dhe anëtarët e Shtylla e Jani akuzuan se përmes një situate të paprecedentë po tentohet t'u mbyllet goja mbi atë që e quajtën rrezikun e përsëritjes së fenomenit të Dushkut.
 
 RREZIKOHET TE PERSERITET FENOMENI I DUSHKUT
Menjëherë sapo përfundoi mbledhja Denar Biba në një prononcim për median, po nga KQZ, akuzoi kryetaren Lleshi se po shkel ligjin. " Situata e paprecedentë. Zëdhënësja e KQZ po tenton të nxjerrë jashtë gazetarët. Po përpiqen të na mbyllin gojën. Nuk duan që qytetarët të mësojnë përmes nesh. Këtu keni Kodin Zgjedhor, ta lexojnë të gjithë qytetarët. Kryetari ose të paktën dy anëtarë të KQZ thërasin mbledhjen”- tha Biba. Sipas tij koha e ndarjes së mandateve nuk ka mbaruar pasi afati është deri më 7 mars dhe e vetmja gjë për të cilën u kërkojnë falje shqiptarëve, është se si anëtarë të KQZ-së nuk kanë më fuqi ligjore për të vepruar më tej mbi këtë cështje.
.
Biba tha se do bëhet publik një raport i lëvizjes së popullsisë drejt veriut dhe paralajmëroi se rrezikohet të përsëritet fenomeni i Dushkut. “Raporti do të bëhet publik. Familje të tëra me nga 30-40 anëtarë të gjithë një mbiemër. Fakte të tjera në lidhje me punësimin e tyre do të zbulohen. Ne ndaluam dhe sqaruam situatën sot ishim në gjëndje të merrnim një vendim pasi përfundimisht ai raport erdhi. Në aspektin moral jo çdo gjë është e përkryer, është imorale, por formalisht është e ligjshme. Fenomeni i Dushkut ishte imoral por i ligjshëm. E njëjta situatë sot .. atë kohë e bëri partia në pushtet sot po e bën po partia në pushtet.

BIBA - LLESHIT: KE FRIKE, LLESHI: KQZ SKA ME PUNE ME MANDATET E KA PARLAMENTI
Diskutimi i kërkesës së Bibës për ndarjen e mandateve nisi në orën 11:42 pas përfundimit të rendit të ditës. Pyetjes së Bibës pse nuk e futët në rend dite, kërkesa për të rikthyer ndarjen e mandateve, kryetarja e KQZ-së tha: “Nuk ka objekt për ta futur në rendit e Ditës KQZ e ka marrë një vendim. "
 “Ne jemi pro ndarjes së mandateve. Le ta bëjmë sot. Por një nga arsyet që nuk fut në rend të ditës është frika juaj, sepse fare mirë mund ta kishit votuar kundër. Tashmë kemi informacionin dhe ne jemi të gatshëm të votonim. Jeni në shkelje të ligjit ditën për diell.”- tha Biba. Në replikë Lleshi u përgjigj se KQZ nuk ka më punë me caktimin e mandateve dhe se procedura ka kaluar në Parlament.

“Ne se kemi lënë askund. Ne e kemi mbyllur procesin. Procedura është ezauruar. Sipas Kodit Zgjedhor i ka kaluar Parlamentit. KQZ nuk ka më tagrin për të rikthyer e rimarrë shqyrtimin e ndarjes së mandateve. Ju mund t’i drejtoheshit Kolegjit Zgjedhor nga pikëpamja proceduriale. (Në këtë kohë Biba ndërhyn: Nuk kam tagër ti drejtohem Kolegjit). Parlamenti e ka në dorë procedurën. Ka kaluar në konferencën e kryetarëve, komisionin e Ligjeve dhe do të kalojë në Parlament. KQZ nuk ka më punë me caktimin e mandateve. Ju nuk votuat as në parim. Procedura në parlament, ne nuk kemi të bëjmë më me mandatet.”- tha Lleshi

KQZ NUK FUT NE REND DITE KERKESEN E PS
Në fillim të mbledhjes nënkryetari i KQZ-së Biba pyeti nëse ishte në rend të ditës kërkesa për të rikthyer ndarjen e mandateve në KQZ.   ”Kërkesa jonë në bazë të ligjit duhet të ishte në rend të ditës”- tha Biba por Lleshi u shpreh se "do vijë një moment që do diskutohej për ndarjen e mandateve"

”Është një e drejtë e dhënë nga ligji. Jemi para abuzimit. Kjo është hera e tretë, që nuk futet në rend të ditës. Ky nuk është ligji, ju po abuzoni me detyrën.”- tha Genc Gjoncaj përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ.

GJONÇAJ: ADMINISTRATA PO LEVIZ DREJT VERIUT, KQZ TE HETOJE

Përfaqësuesi i PS-së Genc Gjonçaj kërkoi hetim nga KQZ për lëvizjen e popullsisë drejt veriut. Këto lëvizje janë bërë një muaj para daljes së listave zgjedhore. Nuk kemi të bëjmë me një lëvizje të lirë, por pozicionim të punonjësve të administratës. Edhe në 2011 ndodhi kështu. KQZ të marrë situatën nën vëzhgim. Është detyrë e KQZ të hetojë këtë çështje:”- tha Gjonçaj.

TRAJNIMI I KOMISIONEREVE
KQz miratoi dje strategjinë e trajnimit të anëtarëve të komisioneve zgjedhore për zgjedhjet e 23 qershorit. Në strategjinë e miratuar parashikohet kualifikimi i komisionerëve të niveleve të dyta dhe të treta për administrimin e procesit zgjedhor. Në ndryshim nga vitet e mëparshme këtë vit të gjithë trajnerët që do të angazhohen për trajnimin e komisionerëve të KZAZ-ve, KQV-ve, GNV-ve do të përqëndrohet në Tiranë. Do të jetë 52 numri i trajnerëve sipas kësaj strategjie, të cilët do të trajnojnë rreth 280 komisionerë të niveleve të dyta dhe të treta.

REFUZIMI U PARALAJMERUA DJE
Edhe dje burime nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bënë të ditur për Shqiptarja.com se kërkesa e PS nuk do të pranohej të hynte në rendin e ditës, gjë që më pas do të ndiqej nga një votim i mundshëm. Ndonëse kërkesa e anëtarëve të majtë nga ana proceduriale është paraqitur në mënyrë të rregullt, duket se arsyetimi ku u bazua refuzimi i anëtarëve të tjerë të KQZ-së ishte se ky institucion është shprehur një herë përmes votës dhe cështja tashmë i ka kaluar Kuvendit ndaj dhe nuk mund të rimerret mbrapsht.

Burime nga KQZ bënë të ditur dje se një vendimmarrje e dytë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të krijonte vetëm konfuzion në Parlament. Ndër të tjera, komisioni për Cështjet Ligjore votoi të mërkurën e kaluar për aplikimin e ndarjes së mandateve sipas skemës së zgjedhjeve 2009.
Gjatë seancës dëgjimore në të cilën ishte thirrur bashkë me kryetaren Lefterie Lleshi, n/kryetari Biba e quajti të pavlefshëm nga ana juridike vendimin e parë të KQZ-së për të mos votuar një ndarje të mandateve. Përvec kësaj, Biba pohoi se tashmë anëtarët e majtë e kanë informacionin mbi popullsinë në Qarkun e Kukësit që u mungonte në votimin e parë, ndaj dhe për këto arsye kërkoi që çështja të rikthehej në KQZ për t’u votuar.
Nëse KQZ pranonte të rivotonte, qarqet që humbin një mandat ishin Korça dhe Berati, në favor të Durrësit dhe Tiranës. Ndërsa Qarku i Kukësit ruante katër mandatet e tij.

Redaksia online

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?



×

Lajmi i fundit

'Azgan, Azgan, po të luajti njeri atje…', pse duhen arrestuar edhe prindërit e vrasësit të policit

'Azgan, Azgan, po të luajti njeri atje…', pse duhen arrestuar edhe prindërit e vrasësit të policit