Zoti Bardhi, ju e keni të qartë që është kthyer në debat politik çështja e mandatit tuaj. Përveç faktit që u zgjodhët në krye të Bashkisë pse do të vini në siklet strukturat?
Refuzimi i mandatit të deputetit vjen pas konsultimeve me strukturën politike ku unë bëj pjesë, por edhe me bazën socialiste dhe elektoratin që më votoi në zgjedhjet e 8 majit 2011 me votë popullore. Sepse jam i sigurt se Fushë-Kruja nuk ka nevojë për deputet të rëndomtë, por ka nevojë për punë shumë të madhe që duhet të bëhet në këtë bashki.
Ju e keni këtë një vendim personal apo jeni konsultuar me strukturat e Partisë?
Unë jam konsultuar me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, por edhe me të tjerë anëtarë të kryesisë, Asamblesë dhe deputetë të kësaj force politike, të cilët i falenderoj për mirëkuptimin e treguar prej tyre dhe lënien e kompetencës për të vendosur në dorën time, siç ka ndodhur me të gjithë. Por vendimi im është personal sipas mendimit të të gjithë banorëve që më kanë zgjedhur.
Dakord por jemi në situatën ku PS pretendon se po i vidhet në kuvend një mandat deputeti, dhe bëhet fjalë për mandatin tuaj...
Nuk mendoj se mund të vidhet kështu një mandat deputeti. Sepse me kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Parlamenti ynë duhet të ketë 140 deputetë. Ndaj për mua është shkelur kushtetuta që ka më shumë se katër muaj që gjithçka në atë parlament kryhet me një deputet mangut. Nuk mendoj se jam i rëndësishëm. Çështja zgjidhet shumë thjesht se duhet të jetë në radhë një i listës, dhe do të jetë zoti Konomi, për të cilin gëzoj respekt të plotë. Dhe në rastin konkret, këto manipulime që kërkon të bëjë Partia Demokratike janë të dështuara.
Ju e nuhasnit që kjo çështje mund të shkaktonte probleme? Keni dëgjuar gjë dhe në PD lokale në Fushë-Krujë?
Jo, jo nuk kam dëgjuar gjë. Në fakt dje isha në Këshillin e mandatit dhe rregullores në parlament. Mospërputhjen e dy funksioneve, e kam sqaruar edhe me kryetaren e Kuvendit dhe kam dalë i zyrtarizuar nga forca ime politike për të qenë kandidat dhe më pas për të qenë kryetar i bashkisë së Fushë Krujës. Eshtë pikërisht një instititucion kushtetues i republikës, pra Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili ka vërtetuar me dokumentin e tij faktin se unë jam kryetar i Bashkisë së Fushë Krujës. Sa për interpretimet e Topallit, gjithçka është e kotë dhe këtë e kemi diskutuar edhe dje (pardje) në mbledhje. Unë jam i regjistruar zyrtarisht si kryetar i Bashkisë, kam vendim gjykate dhe vërtetim nga KQZ. Që atëherë kam bërë edhe deklaratë personale që do të refuzoja mandatin e deputetit, pas dorëheqjes së deputetes së PS, Rudina Seseri.
Nuk kam pasur asnjë detyrim më parë që unë të tërhiqesha apo të refuzoja detyrën nga lista, për sa koohë që kjo listë ishte e plotësuar. Dhe në momentin që u la vendi vakant pas dorëheqjes së Seserit, atëherë kam bërë deklaratën personale. Jam thirrur nga zonja Topalli dhe i kam sqaruar gjithë këto procedura dhe duhet të pyesni zonjën kryetare të Kuvendit për mënyrën sesi ka vonuar këtë mandat prej katër muajsh. Ndërkohë edhe vetë Kuvendi, strukturat drejtuese, duhet të pyesin KQZ që më kanë certifikuar në krye të Bashkisë së Fushëkrujës.
Ndërkohë në zonën për të cilën bëhet fjalë, ju keni qenë dakord për kandidimin e zonjës Seseri?
Nuk më takon mua të gjykoj kam qenë apo jo dakord për kandidimin e zonjës seseri. Personalisht edhe unë kam qenë i vlerësuar dhe e kam ndjerë veten të vlerësuar.
Pse do ta takoni sot (Dje) kryetarin e PS, Edi Rama?
Do të kemi një takim të përgjithshëm pune, por jo për këtë të mandateve. Sepse kjo është një çështje tërësisht juridike. Në Parlament, mesa kuptova do të dorëzohen dy raporte, ai i PD dhe PS dhe më pas do të jenë strukturat kushtetuese që do të vendosin.
(sg/shqiptarja.com)