Ndërkohë që brenda gjykatës federale të Manhatanit, Nicolas Maduro u deklarua i pafajshëm, jashtë gjykatës u mblodhën turma të mëdha njerëzish.
Dy grupe me qëndrime të kundërta protestuan paralelisht: njëra palë brohoriti kapjen e Maduro-s, ndërsa pala tjetër protestoi kundër ndalimit të tij dhe kërkoi lirimin.
Protestuesit u panë duke valëvitur flamuj venezuelianë dhe duke brohoritur slogane si: “Kush jemi ne? Venezuela! Çfarë duam? Liri!”. Disa mbanin pankarta me mbishkrimin “Liri për të burgosurit tanë politikë në Venezuelë”, ndërsa të tjerë shfaqnin banderola ku shkruhej “Liri për Presidentin Maduro”. Në protestë u vu re edhe një pankartë me mbishkrimin “Trump për Mbret”.
Sipas prokurorisë amerikane, Maduro akuzohet se ka udhëhequr “banda kriminale të sponsorizuara nga shteti” dhe ka korruptuar institucione shtetërore për të lehtësuar importimin e sasive të mëdha të kokainës në Shtetet e Bashkuara. Akuzat përfshijnë gjithashtu çështje që lidhen me armë dhe bashkëpunim kriminal ndërkombëtar.
Paraqitja e sotme në gjykatë konsiderohet një moment kyç në një proces që pritet të jetë i gjatë dhe me ndikim të madh politik e diplomatik, ndërsa zhvillimet në Nju Jork po ndiqen me vëmendje të lartë nga komuniteti ndërkombëtar.
Lajmi kryesor:
Maduro del para gjykatës amerikane: Jam i pafajshëm! SHBA në Këshillin e Sigurimit në OKB: Nuk ishte pushtim në Venezuelë, arrestuam një terrorist











