Një nga sektorët më të goditur nga rënia e monedhës evropiane është ai i manifakturës. Industria prodhuese e tekstileve, nuk është në ditët e saj më të mira, pasi vijon të goditet nga zhvlerësimi i valutave që ua ka ulur fitimet. Në 7 muajt e këtij vitit ky sektor sipas INSTAT ka eksportuar mallra me vlerë 648 milionë euro nga 703 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kreu i ProEksport Albania, Edvin Prençe, thotë se eksportet kanë pësuar një rënie të ndjeshme në vitet e fundit, ndërsa humbja e konkurrueshmërisë po reflektohet edhe në tregun e punës.
“Trendi i rënies së eksporteve në tërësi ka qenë dyshifror, ka kaluar gati 25% në këto vitet e fundit nga 2023 e mbrapa, duke pasur parasysh humbja e konkurrueshmërisë kjo për fajin kryesor të kursit të këmbimit të gjitha këto të mbledhura së bashku përkthehen në humbje të vendeve të punës. Janë humbur shumë kontrata dhe shumë biznese ‘barnde’ të huaja, po orientohen drejt vendeve që janë më konkurruese dhe më agresive në incentiva, po tërheqin kompanitë”, tha Prençe.
Sektori i prodhimit të veshjeve dhe këpucëve, një nga punëdhënësit më të mëdhenj në zonat rurale, ka humbur mijëra vende pune, ndërsa Prençe paralajmëron se dobësimi i këtij biznese po kthehet tashmë në një problem social.
“Sektori jonë i prodhuesve të veshjeve dhe këpucëve që ka pasur mbi 65,000 të punësuar në të gjitha zonat rurale të Shqipërisë, ne sot po flasim të paktën me 20000 vende pune më pak. Kjo do të thotë që përtej problematikës ekonomike që po krijohet në një sektor, ke dhe impaktin dhe problematika sociale”, tha Prençe.
Përballë kësaj situate, eksportuesit thonë se nuk kërkojnë subvencione direkte, por një kurs preferencial të këmbimit për industrinë eksportuese.
“Nuk po kërkojmë të na jepet lek, por duhet të krijohet një tavolinë teknike për të kuptuar se ku duhet të orientohet dhe ku do të shkojë ekonomia shqiptare. Kemi kërkuar vjet një kurs këmbimi preferencial industrial. Ajo që kemi kërkuar ne ka qenë që 1 euro të këmbehet me 100 lekë”, tha Prençe.
Lajmi kryesor:
Euro në rënie të lirë, kush humbet apo fiton? Ekspertët: Në treg ka më shumë valutë se lekë, monedha evropiane rrezikon të zbresë nën 90 lekë







