TIRANË- 15 mijë ish-pronarë, dosjet e të cilëve deri më tani kanë qënë në pritje nga viti 2010-të, do të përfitojnë nga kompensimi i pronave. Lajmin e mirë e bëri të ditur Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në ditën e fundit të vitit, ku theksoi se janë 30 mln euro që janë disbursuar nga qeveria dhe do të kalojnë në llogaritë e ish-pronarëve deri më datë 2 janar.
Manja theksoi se kompensimi do të bëhet sipas masës së përllogaritur, duke përfshirë edhe komunitetet fetare ndër ata që kanë aplikuar për kompensim. Pjesa më e madhe e dosjeve që përfitojnë këtë masë janë të përzgjedhura nga viti 2010 deri në vitin 2024, dhe përfshijnë ata që kanë patur pasuri të zëna nga ndërtimet publike ose ndërtimet informale.
"Sot, starton ky proces i cili do të finalizohet deri të enjten dhe secili nga 15 mijë individët do të ketë masën e kompensimit në vlerë sipas asaj që është përllogaritur nga Agjencia e Trajtimit të Pronave. Në këto 5200 dosje që përfitojnë këtë masë kompensimi është ndjekur në rend kronologjik nga viti 2010-2024. Jo të gjithë subjektet ndër vite që kanë aplikuar dhe kanë marrë masën 70% përfitojnë nga ky kompensim, se një pjesë e dosjeve vërtetë kanë marrë 70%, por kanë pasur mangësi në dokumentacion, mos depozitimi në kohë i dëshmive të trashëgimisë.
Pjesa tjetër me rifreskimin e dokumentacionit, dhe ata do të jenë përfitues të kësaj mase kompensimi. Pasqyrë të shkurtër të punës dhe veprimtarisë. Ish-pronarë që kompensohen në vlerë dhe sipërfaqe prone, për shkak se prona është zënë nga ndërtime publike dhe ish pronarë që prona e tyre është zënë për shkak të ndërtimeve informale", tha Manja.
Nga Agjensia e Trajtimit të Pronave janë kompensuar 869 subjekte në një vlerë prej 84 mln euro e shtrirë ndër vite, dhe 763 hektarë tokë kompensim fizik, ndërsa në pritje janë edhe 19 mijë e 922 vendime të tjera me një vlerë prej 131 mld që janë në process për kompensimin financiar dhe fizik.
Njoftim për shpërndarjen e fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale
Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton se, më datë 30 . 12. 2024, ka përfunduar procesin e shqyrtimit për 5320 (pesë mijë e treqind e njëzet) kërkesa, të cilat përfitojnë këstin e fundit të kompensimit në të holla në një total prej 30% të vlerës totale të miratuar me VKM-të përkatëse.
Procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërnda
rjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin nr.9482, datë 03.04.2006 "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", i ndryshuar, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.383, datë 19.05.2010 "Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale", i ndryshuar, dhe në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.
Për 5320 (pesë mijë e treqind e njëzet) kërkesat, e mësipërme, për të cilat ka përfunduar procesi i shqyrtimit nga ana e ATP-së, ka rezultuar se dokumentacioni i tyre është në përputhje me kriteret e përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 383, datë 19.05.2010 "Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale", i ndryshuar.
Fondi financiar që shpërndahet nga ATP për këto 5320 (pesë mijë e treqind e njëzet) kërkesa, është në vlerën: 3 095 139 163,84 (tre miliard e nëntëdhjetë e pesë milion e njëqind e tridhjetë e nëntë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e tre presje tetëdhjetë e katër) lekë.
Të dhënat në lidhje me pasuritë që kompensohen dhe mbi gjeneralitetet e subjekteve përfitues jepen në listën bashkëlidhur këtij njoftimi.
Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë pas përfundimit të procedurave të transfertave bankare në ditët në vazhdim.