Vendimi i Komisionit të Ligjeve për mosamnistimin e të dënuarve të sëmurë terminalë për ministrin e Drejtësisë Ylli Manjani është jo i drejtë.

Manjani është shprehur i keqardhur për refuzimin e kërkesës për amnistinë e të sëmurëve të pashëruar. Sipas tij ata janë të dënuar nga Gjykata dhe Perëndia dhe politika nuk duhet të bëjë të njëjtën gjë.

“Jam i keqardhur për faktin që Komisioni rrëzoi amnistimin e të sëmurëve. Ata i dënoi gjykata, perëndia, por tani po i dënojmë politikisht. Këta të dënuar janë diagnostikuar nga instituti i mjekësisë ligjore”, është shprehur ministri Manjani.

Gjatë mbledhjes së djeshme në Komisionin e ligjeve, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani  ka propozuar që nga amnistia të mos përfitonin të dënuar për vjedhje dhe për vrasje por të sëmurët terminalë. 

Këto deklarata  ministri i drejtësisë Ylli Manjani i ka bërë gjatë përurimit të ambjenteve të Institutit të Mjekësisë Ligjore i cili është shprehur se ky është institucioni i vetëm që kryen aktet e ekspertimit.

"Këtu gjenden arsyet e largimit nga jeta në mënyrë të panatyrshme dhe për të qetësuar dhe për të dhënë qetësi për të gjallët. Në këtë kuptim, ky institucion merr një vlerë të jashtëzakonshme, merr një vlerë provuese në kuptimin ligjor. Nuk është e para herë që unë kam bërë thirrje dhe kam tërhequr vëmendjen e gjyqtarëve të Shqipërisë, prokurorëve të shtetit që të jenë më të vëmendshëm ndaj këtij shërbimi, i cili është ekskluziv në momentin që flasim, që do të thotë askush që ka diplomën e mjekut nuk e ka të lejueshme ose nuk është e mjaftueshme që të kryej akte ekspertimi. Aktet e ekspertimit kryhen këtu, kryhen nga ky institut dhe ai mban përgjegjësi ligjore për çdo gjë” u shpreh Manjani.



Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)