Në një takim me gjyqtar e kancelarë Ministri i Drejtësisë ka vënë theksin me tone të ashpra në rritjen e cilësisë së shërbimit publik. Manjani ka urdhëruar zgjatjen e orareve të punës në zyrat e shërbimit publik pasi njerëzit po humbasin gjyqet se nuk njoftohen për kohën.

Në takimin e parë që ministri i drejtësisë pati me kancelarët e gjykatave nuk ka munguar dhe kritikat për higjenën.
"Zgjasni oraret e shërbimit në sekretariatet e gjykatave. Ne kemi për detyrë shërbimin ndaj qytetarit. Nëse nuk bëhet realitet kjo gjë un do t'iu kërkoj llogari juve. Pastroni dhomat e pritjes së publikut, dhe jo të shohim në muret e gjykatave shenja këpucësh apo bishta cigaresh, konceptojeni me përgjegjësi. Bota drejt respektimit të të drejtave të kafshëve ne akoma diskutojmë të njeriut. Në këtë pikpamje nuk dua të kem më asnjë minimum tolerance"-tha Manjani duke shtuar se:

"Asnjë çështje nuk mund të kalojë apo anashkalojë procedurën e shortit. Shorti nuk është shpikje e shqiptarëve. Është instrument ligjor që ndihmon në paanësinë në gjykim. Po jua them troç na është krijuar përshtypja që për çështje të caktuara në varësi të faktit se kush gjykon në shkallë të parë dihet se kush gjykon në Apel. Për fat të keq më është krijuar kjo përshtypje. Çfarë kodosh shorti qenka ky që e paska parazgjedhë gjykatësin. E pamundur të jetë e besueshme, unë nuk e besoj, jo më të presin të tjerët se çfarë shërbimi japim.” 

Manjani tha se Drejtori i përgjithshëm i Inspektoriatit ka marrë detyrë të qartë e të prerë të mos jetë intolerant ndaj këtyre praktikave, ne po i vërsulemi gjyqtarëve sot.

“Ama kjo nuk e mbron kurrsesi shërbimin, kancelarin dhe personelin e shërbimit. E kuptoj që personeli është keqpaguar por kjo nuk është arsyeja që në emër të keqpagesës të kërkosh pagesë ekstra në rrugë të jashtëligjshme, sepse në një logjikë fare të thjeshtë jashtë derës së gjykatës ka po aq njerëz që kërkojnë tju zënë vendin. Ka po aq njerëz jashtë dhe të shkolluar që presin jashtë sistemit tju zënë vendin dhe ju siguroj se do jua zënë vendin nëse gjendeni përpara këtyre situatave”.-tha Manjani


Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)