Manuali ka për qëllim forcimin e kulturës së dialogut. Në përmbajtje të tij saktësohet se në kuvend do të ketë dhe një person përgjegjës, një koordinator për grupet e interesit që do të ketë për qëllim informimin për projekt/ligjet si dhe marrjen e mendimit të tyre për t’ia çuar komisioneve përgjegjëse, përpara çuarjes së drafteve për votim në parlament.
Fjala përshëndetëse e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta:
Të nderur zonja dhe zotërinj deputetët,
I nderur z. Ambasador,
Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile,
Mirë se keni ardhur sot në Kuvendin e Shqipërisë. Bashkëpunimi i Kuvendit me shoqërinë civile, hapja e tij me publikun kanë qenë dhe mbeten disa objektiva kryesore për të gjithë ne parlamentarët. Kushtetuta e vendos Kuvendin në pozicionin e një ure lidhëse midis qytetarëve dhe procesit ligjbërës. Kuvendi është ndërtuar bazuar në parimin e demokracisë përfaqësuese, por pavarësisht përpjekjeve dhe arritjeve të deritanishme, zbatimi i këtij parimi nuk ka qenë gjithmonë në nivelin e duhur dhe për pasojë, publiku nuk ka qenë në mënyrë të ndjeshme i përfshirë në procesin ligjbërës. Besoj se ky bashkëpunim me publikun, sidomos me organizatat e shoqërisë civile, po vjen vazhdimisht në rritje përmes konsultimeve konkrete. Një nga këto është edhe ky manual që ka disa muaj që i është prezantuar publikut dhe është proces konsultimi me organizatat e shoqërisë civile. Përfshirja e individëve, publikut dhe shoqërisë civile në procesin vendimmarrës, vlen për të përmirësuar debatin parlamentar duke e bërë më efektiv procesin ligjbërës dhe ligjvënës dhe funksionin mbikëqyrës të Kuvendit. Në këtë mënyrë, legjislacioni kuptohet më mirë nga qytetarët, ata e ndjejnë ligjin më pranë tyre dhe kanë më shumë vullnet për ta zbatuar dhe respektuar atë.
Ky proces konsultimi dhe pjesëmarrjeje të publikut merr një rëndësi të veçantë kur diskutohen çështje sidomos që kanë të bëjnë me grupe në nevojë, si personat me aftësi të kufizuar, gratë, fëmijët, pakicat etj.
Besoj se gjithmonë ka nevojë për vullnet të mirë kur bëhet fjalë për të paraqitur përmirësime në punën e një institucioni, siç është edhe Kuvendi, i cili shihet si një organ tradicional dhe pse jo, edhe konservator i zbatimit të procedurave.
Por nga ana tjetër, më vjen mirë që administrata e Kuvendit ka gjetur instrumentin e duhur për të ofruar një metodologji pune të zbatueshme nga të gjithë për t’ju përgjigjur edhe rekomandimeve të Bashkimit Evropian për përfshirjen e publikut në procesin vendimmarrës të Kuvendit. Ky manual është një përpjekje ambicioze për ta bërë Kuvendin në ushtrimin e funksioneve të tij më transparent, duke i shtuar mundësitë individëve që të informohen më shumë rreth këtij institucioni përfaqësues. Njëkohësisht, ky manual do të rrisë përgjegjshmërinë e deputetëve në qëndrimin e tyre politik kundrejt miratimit të një projektligji të caktuar për t’u përputhur me pritshmëritë që zgjedhësit kanë ndaj tyre.
Unë besoj që manuali do të shërbejë edhe për të rritur bashkëpunimin dhe jo konkurrencën mes vetë organizatave të shoqërisë civile, pasi sa më i fortë të jetë zëri i tyre, aq më të vlefshme do të jenë ligjet që do të miratohen në këtë Kuvend. Së fundmi, dua t’ju ftoj që ta mirëpresim këtë manual i cili ju ofron informacione praktike mbi përfshirjen e qytetarëve në mënyrë efektive në procesin vendimmarrës si dhe për përfshirjen e deputetëve në mënyrë efiçente në shqetësimet e publikut dhe të qytetarëve me qëllim që të gjithë të kuptojmë që demokracia i përket qytetarëve dhe ne jemi këtu për t’u shërbyer atyre. Ju faleminderit.
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)