Manuel Akanji ka shprehur hapur dëshirën e tij për të qëndruar te Interi, duke bërë të ditur se nuk po e mendon një rikthim te Manchester City. Mbrojtësi zviceran iu bashkua zikaltërve në ditën e fundit të afatit kalimtar veror dhe ka bindur menjëherë me paraqitjet e tij nën drejtimin e Christian Chivu.

Pas fitores së Interit në transfertë ndaj Hellas Verona në stadiumin “Bentegodi”, Akanji foli për mediat, duke komentuar si ndeshjen ashtu edhe të ardhmen e tij.

“Gjëja më e rëndësishme ishte fitorja. Ishte një ndeshje e vështirë, por besuam deri në fund dhe morëm tri pikë shumë të rëndësishme. Po e shijoj shumë kohën time te Interi. Dal në fushë me mentalitetin e duhur dhe ndihem në formë të shkëlqyer. Kam marrëdhënie të mira me stafin dhe me shokët e ekipit”, tregoi ai.

I pyetur për të ardhmen, mbrojtësi u shpreh qartë se dëshiron të qëndrojë.

“Do ta shohim në fund të sezonit, por shpresoj shumë të qëndroj, ndihem vërtet mirë këtu”, tha mbrojtësi 30-vjeçar.

Akanji theksoi gjithashtu se është i gatshëm të luajë si qendërmbrojtës, por edhe në krahun e djathtë, sipas nevojës së trajnerit.

“Si qendërmbrojtës ndihmoj në kontrollin e lojës, ndërsa në të djathtë mund të jem më ofensiv. Më pëlqejnë të dyja pozicionet”, mbyll Akanji.

Sipas raportimeve nga Italia, Interi ka mundësinë ta blejë përfundimisht Akanjin për rreth 15 milionë euro, një shifër që duket e arsyeshme për një lojtar që tashmë është bërë pjesë kyçe e mbrojtjes zikaltër.