Pas dy raundeve të zgjedhjeve lokale të vitit 2025 në Maqedoninë e Veriut, koalicioni VMRO-DPMNE, i kryeministrit Hristijan Mickoski, doli fitues duke siguruar 54 komuna, si edhe Shkupin. Në vend të dytë u rendit aleati, koalicioni shqiptar VLEN, që fitoi 9 komuna, ndërsa LSDM arriti të marrë 6 komuna.

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) e udhëhequr nga Ali Ahmeti fitoi 4 komuna në total në të dy raundet, ndërsa Lëvizja ZNAM, Partia Demokratike e Turqve dhe Unioni i Romëve fituan nga një komunë secila. Ndërsa dy komuna të tjera do të drejtohen nga kandidatë të pavarur. 

Në raundin e dytë, që u zhvilluan dje, u zgjodhën kryetarët e 33 komunave, përfshirë edhe Shkupin, ndërsa në raundin e parë më 19 tetor u zgjodhën 44 kryetarë komunash. VMRO-DPMNE fitoi 22 komuna në raundin e dytë, VLEN 4 komuna (Bogovinjë, Dibër, Dollneni, Tetovë), AKI vetëm 1 komunë (Studeniçan), ndërsa LSDM 3 komuna. Në Strugë fitoi kandidati i pavarur Mendi Qyra, ndërsa një komunë shkoi te Unioni i Romëve dhe një tjetër te Lëvizja ZNAM.

Në raundin e parë, VMRO-DPMNE fitoi 33 komuna, VLEN siguroi 5, AKI 3, LSDM 3. 

Koalicion VLEN e cilësoi rezultatin e zgjedhjeve si fundin e "epokës së Ahmetit" dhe fillimin e një vizioni të ri për politikën shqiptare. Sipas VLEN, votuesit shqiptarë shprehën qartë vullnetin për ndryshim duke mbështetur koalicionin në shumicën e komunave me peshë politike.

Në katër komuna (Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë e Rostushë) dje nuk u zhvillua votimi për shkak të pjesëmarrjes së ulët në raundin e parë, dhe do të ketë procedurë të re zgjedhore brenda 60 ditëve. Në Gostivar cenzusi nuk u arrit për rreth 20 vota. 

Në zgjedhjet lokale morën pjesë 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 kandidatë të pavarur.

Infografik me të dhënat e dy raundeve