Gazetari dhe shkrimtari Marash Mirashi, prezantoi në Lezhë romanin e tij më të fundit të titulluar "Vula". Kjo vepër e cila merr shtysë nga lufta e gjatë në politikë, është shndërruar mjeshtërisht nga autori në një përrallë moderne.

Loja e imagjinatës sfidon kufijtë mes reales dhe të trilluarës, duke e vendosur lexuesin përballë një universi ku realiteti dhe fantazia ndërthuren në mënyrë befasuese. Ky botim u prit me interes nga lexuesit dhe dashamirësit e letërsisë, të cilët vlerësuan stilin e veçantë të autorit, gjuhën sarkastike, groteskun dhe mënyrën si ai ndërthur filozofinë me artin e rrëfimit.

“Ka sarkazëm, humor, ka nëntekst, loja që bën ai për të sjellë në vëendje personazhin. Është një aspekt stilistik i tij dhe i pëlqyeshëm për lexuesin”, tha Viktor Gjikolaj, poet.

“Kam tri dekada e gjymë që e lexoj Marash Mirashi, dhe e lexoj përmes miqësisë me të”, tha Frano Kulli botues.

“Është ndërthurur gazetari, shkrimtari dhe poeti. Në strukturën duket sikur është një kronikë me hyrje në çdo fillim të çdo paragrafi për të tereguar se çfarë do të ndodhë, dhe më pas shkrimtari hyn në lojë me gjuhën e pasur. Poeti hyn në lojë me figuracionin tepër të veçantë dhe origjinal”, tha Merita Gruda, redaktore e librit.

 Autori i këtij botimi Marash Mirashi theksoi se romani “Vula” është  një reflektim mbi absurditetin e përditshëm, i cili shpesh maskohet si normalitet. Kur politika rend pas simboleve, qytetarët bëhen spektatorë të një teatri të çmendur.

“Romani Vula është një grotesk ndaj shoqërisë dhe politikës shqiptare. Është një mënyrë për të dhënë te lexuesi një përrallë moderne. Mendoj se është një libër që do të ketë lexuesit e vet. Në këtë situatë ku ndodhet politika shqiptare shumë shkrimtarë do të kthëjnë sytë nga ajo. Një prej arsyve është për të treguar fytyrën që ka sot pushteti qoftë në opozitë qoftë në qeveri”, tha Marash Mirashi.

Ky botim i gazetarit dhe shkrimtarit Marash Mirashi vjen pas suksesit të arritur me romanin "Brirët", i cili tërhoqi vemendjen e lexuesve duke u vlerësuar me çmimin letrar “At Gjergj Fishta" në vitin 2024.