Maratona e vecantë arrin në Vlorë, 10 mijë kilometra në këmbë nëpër Europë…

Maratona e vecantë arrin në Vlorë, 10 mijë kilometra në këmbë nëpër Europë…
Danny Frankel, një 25 vjeçar nga Gefell (Gjermani), i ka vënë vetes një objektiv: të përshkruajë 10 mijë km në këmbë nëpër Evropë. Në 19 shkurt të vitit 2011, “pelegrini evropian”, siç e quan ai veten, u nis nga Portugalia. Nga ai moment vazhdon udhëtimin në këmbë, duke lëvizur përmes Spanjës, Francës, Zvicrës, Italisë.

Në Itali, aventurës së tij ju bashkuan edhe dy miqtë e tjerë bashkëkombas, Doreen e Daniel. Aktualisht të tre ndodhen në Shqipëri në rrugëtimin drejt Greqisë. Hynë 6 ditë më parë në portin e Vlorës, nga Brindisi dhe prej asaj dite kanë ndjekur itinerarin e rrugës së bregdetit. Lëvizin 20-25 km në ditë në një ecje të ngadaltë, ndërkohë që natën e kalojnë në tendat e tyre që i kanë vendosur në çantat e shpinës.

Për të ngrënë…?! Nuk është fare problem. Konsumojnë çfarë t’u dalë. Synojnë kryesisht produkte natyrore. Kanë fjetur edhe në shtëpitë e fshatarëve, që i kanë ftuar me shumë bujari dhe u kanë ofruar ushqime vendase. Për këtë janë të kënaqur dhe e veçojnë mikpritjen, madje edhe natyrën e bukur të vendit tonë.

Unë i takova rastësisht, pasditen e të shtunës, teksa kthehesha nga qyteti i Sarandës, vetëm pak kilometra në dalje të saj, dallova tre kalimtarët, dy djemtë dhe vajza, që lëviznin dalëngadalë në anë të rrugës.

Doreen, e veshur me një xhup në ngjyrë lejla, bjonde, ndërsa dy bashkëudhetarët e saj me xhupa blu., Danny me pantallona kamuflazh dhe Daniel, mbanin në kokë kapele. Të tre kanë në shpinë çantat ku mbajnë gjithçka u duhet, ndërkohë që Danny shtrëngon dhe dy shkopinj që e ndihmojnë të ecë. Janë të qeshur dhe nuk refuzojnë aspak për të bashkëbiseduar dhe për të treguar aventurën e tyre. U ka pëlqyer mjaft kjo pjesë e Shqipërisë që kanë përshkuar gjatë këtyre 6 ditëve dhe shprehen me entuziazëm.

Doreen 31 vjeçe dhe Danny 25 vjeçar, janë nga ish Gjermania Lindore, ndërkohë që bashkëudhëtari i tyre, që ka përfunduar studimet në inxhinieri për mikrostrukturë, është një 26 vjeçar nga Freiburgu. Ai është në fazën e kërkimit shkencor dhe ky udhëtim “pranë natyrës” siç shprehet, do ta ndihmojë mjaft në punën e vet studimore.

Danny, personazhi kryesor në këtë treshe, tregon disa detaje nga udhëtimi i vet. “Deri sot emocioni më i madh ka qenë kur kalova Pirenejtë, vendin më të bukur por edhe më të rrezikshëm ku kam qenë deri tani. Pata shumë vështirësi edhe fizike, por ja dola”, tregon ai. Danny Frankel gjatë kohës që udhëtonte i vetëm, të vetmin “shok” kishte çantën e madhe të shpinës.
Në orientim ndihmohen nga busulla dhe harta. Nuk kanë asnjë mjet elektronik, përveçse një telefoni cellular,që është i hapur 2 orë në ditë dhe që rikarikohet përmes një paneli të vogël diellor. Gjatë verës së vitit të kaluar, në mes të udhëtimit të tij, Danny qëndroi dhe punoi për 2 muaj në afërsi të Firences, në një sipërmarrje agrobiznesi ku realizoi edhe pasionin e vet për biologjinë.

Për ta, financat nuk konsiderohen aspak si një problem. Shpenzojnë 2-3 euro në ditë, hanë ato çfarë u ofron natyra dhe flejnë në tendat e tyre. Për ta Shqipëria është një përvojë e re dhe e panjohur, por shumë e këndshme. Deri sa të kapërcejnë kufirin në Kakavijë do t’u duhen edhe disa ditë udhëtim, gjatë të cilave do të takojnë njerëz, do t’i ftojnë në shtëpi për të kaluar një apo disa nga netët. “Dalloni për mikpritjen nga të gjithë popujt e tjerë në vendet që kemi përshkuar”, thotë Danny.

Për Dannyn, pasioni për të udhëtuar në këmbë ka patur si pikënisje problemet e tij me shëndetin. “Në Gjermani punova në një fabrikë. Në vitin 2009, pasi vuajta nga një sëmundje në stomak, të shkaktuar nga ritmi i punës, vendosa të ndryshoj jetë. Për 8 muaj udhëtova në këmbë në Angli, Francë, Islandë”, tregon ai.

Kështu, nuk është hera e parë që 25 vjeçari vendos të lerë gjithçka dhe të udhëtojë në qiell të hapur. Por, ky rrugëtim nëpër Evropë, sigurisht që është shumë më i gjerë se përvojat e mëparshme. Ndërkohë, që për dy bashkëudhëtarët e tij, kjo përbën fillimin e një përvoje. Madje, Daniel, teksa rregullon syzet mbi hundë, shprehet me të qeshur se është bashkuar në këtë aventurë për shkak të dy miqve të tij. “Ajo çka kërkoj, është ajo që më bën mirë, është kontakti me natyrën. Udhëtimi im nuk është fundi i vetvetes, përkundrazi”, citon Danny.
Por, ai shton edhe një sekret. Gjatë këtyre muajve të udhëtimit të tij nëpër Evropë, ka bërë shumë foto dhe ka dokumentuar të gjitha lëvizjet përmes shënimeve dhe përshkrimeve. Pas kthimit në Gjermani, mendon të shkruajë dhe të botojë një libër që të tregojë për këtë eksperiencë. Danny nuk është një pelegrin klasik, por “një pelegrin evropian”, siç ka qejf të etiketojë vetveten.
Në udhëtimin e tij dhe të bashkëatdhetarëve, ka disa ngjashmëri me atë të pelegrinëve klasikë, siç është mënyra e udhëtimit, një pjesë e itinerarit, privimi nga shumë gjëra në jetën endecake. Por, gjithsesi, dallimet janë të shumta. Pelegrinët klasikë, që evokojnë ata të periudhës nga vitet 800 pas Krishtit deri në Mesjetë, anëtarë të sektit me shenjt San Xhiakomon dhe udhëheqës shpirtëror Karlo Magnon, niseshin nga Santiago(Spanjë), kryeqendrën e famshme të tyre, për të përfunduar në vendin e shenjtë, në Jeruzalem.

Në janarin e vitit 2008, unë intervistova njerin prej pasardhësve të këtij sekti që vazhdon të ekzistojë në Evropë, francezin Olivier Belet, teksa përmes të njëjtës rrugë, udhëtonte drejt Greqisë. Ky personazh, zuri vend në bashkëbisedimin tonë disa minutësh. Më tej, u ndamë. Ata vazhduan udhëtimin e tyre, duke lëvizur ngadalë në asfaltin e lagësht, me atletet e tyre me qafa. Kthyen kokat dhe më përshëndetën me dorë, sërish me buzëqeshjen që nuk u ndahej për asnjë çast.

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Moti për fundjavën, diell e vranësira, të dielën do pasohen me shi! Harta për çdo qytet

Moti për fundjavën, diell e vranësira, të dielën do pasohen me shi! Harta për çdo qytet