Marina Grabovari,rikthimi
në skenë si prezantuese

Marina Grabovari,rikthimi <br />në skenë si prezantuese
Një Mbrëmje Gala do të ngjis në skenë 100 histori suksesi të shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut. Pjesëmarrës janë të gjithë ata shqiptarë që kanë arritur të jenë sfidues në profesionet e tyre nëpër vende të ndryshme të botës; dikush në skenën lirike, një tjetër në artet pamore, dikush në mjekësi… Drejtuesja e projektit, zonja Flora Nikolla, thotë se "Ideja finale e këtij projekti është krijimi vit pas viti i një database të shqiptarëve të suksesshëm në botë". Por a do të mjaftonte vetëm një libër me historitë e suksesit të shqiptarëve nëpër botë. Flora Nikolla përgjigjet se "database i krijimit të vlerave të shqiptarëve është shumë më i madh. Kjo është arsyeja pse çdo vit, në prag të çdo përvjetori të festimit të Pavarësisë, mendojmë të botohet një libër që përmbledh historitë e shqiptarëve të suksesshëm dhe do të organizohet edhe një mbrëmje gala, ku do të shpallen tri historitë më të spikatura të përzgjedhurve të atij viti.

Libri i parë, "Albanian Excellence 2012 - 100 histori suksesi në 100-vjetorin e Pavarësisë", përmbledh shqiptarët që kanë arritur suksesin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Itali, Francë, Gjermani, Francë, Suedi, Zvicër, Izrael, Norvegji, Çeki etj. U desh një periudhë e gjatë diskutimesh për renditjes së tyre në një libër luksoz me rreth 500 faqe, ideuar si dhuratë për gjithë personazhet që do të jenë në mbrëmjen gala nesër në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Skenografia është bërë nga artisti i njohur me banim në Nju Jork, Andis Gjoni. Ndërsa regjia është e Petri Bozos dhe skenari i Flora Nikollës.

PREZANTUESJA MARINA GRABOVARI
Prezantimi i mbrëmjes është surprizues. Del për herë të parë në skenë Marina Grabovari, një nga protagonistet e skenës shqiptare në vitet '80, e cila shkëlqeu dhe u zhduk në mënyrë "misterioze", si një meteor. Ende në vesh na oshtin zëri, imazhi i interpretueses Grabovari. Kënga e saj, "Një djep në barrikadë", edhe pse iu këndua partisë me fjalët: "ne jemi komunistë shokë të Enverit", pas çmimit të parë në festivalin e 21-të këngës në RTSH nuk u këndua më, sepse siç thotë Marina me thjeshtësi, "këtë e dinte e dinte Partia". Megjithatë zëri i Marinës dhe hijeshia e saj në skenë lanë mbresë të madhe për publikun shqiptar. Pavarësisht kontekstit doktrinar të këngës, shkruar nga Hysni Milloshi e kompozuar nga Avni Mula, Marinën e dënojnë bashkë me këngën, duke e larguar jo vetëm nga skena, por edhe nga Tirana... Jo për ndonjë arsye të madhe ideologjike, por për një çështje të brishtë dhe delikate... Partia e dënoi Marinën për dashurinë që i fali bashkëshortit të saj, kompozitorit të ndjerë e të nderuar Selim Ishmakut, i cili fatkeqësisht ka ndërruar jetë dy vjet më parë nga një sëmundje e rëndë.

Përshëndetje. Ku ka jetuar gjatë kësaj kohe artistja e njohur Marina Grabovari?

-Unë nuk jam larguar nga Shqipëria, dhe aktualisht jam mësuese dhe jap mësim në Liceun Artistik. Nuk jap muzikë, por punoj si mësuese e ciklit të ulët për lëndët e tjera.

Marina, ju keni mbetur më mendjen e publikut bashkë me misterin e largimit tuaj nga skena. Çfarë ndodhi, ju larguan apo u larguat më dëshirë?
-Njeriu nga skena nuk largohet asnjëherë me dëshirë. Unë nuk gjeta përkrahje. Dhe për më tepër unë nuk gjeta përkrahje nga Partia që i këndova me aq pasion. Pra, unë megjithëse i këndova komunistëve, Enverit, sërish nuk e gjeta as përkrahjen më të vogël dhe as mbrojtjen prej atyre që iu këndova këtë këngë.

Po pse për cilën arsye?
-Atë e dinte Partia. Ashtu iu pëlqente të bënin, dhe mua jo vetëm më larguan nga skena, por më çuan për të punuar në fshat për mos iu afruar më.

Keni prezantuar ndonjëherë në skenë?
-Jo. Është hera e parë që prezantoj. Ngjitja ime në skenë është meritë organizatorëve dhe drejtueses Flora Nikolla. Flora, duke njohur pasionin tim të hershëm për skenën, me projektin e saj nxiti tek unë një kureshtje dhe dëshirë për të bërë prezantimin. Ajo më frymëzoi me optimizëm dhe më ka nxitur që unë të përfaqësoj në këtë aktivitet ardhjen e 100 emrave të shquar me sa më shumë dinjitet. Por megjithëse ju e dini fatkeqësinë time për vdekjen e bashkëshortit, ndaj desha të them se një shtysë më tepër e marr nga qëndrimi i tij, që megjithëse ika nga skena, ai më jepte gjithmonë shpresë e përkrahje. Një pjesë të suksesit në skenë e pata nga përkrahja e bashkëshortit tim, që ishte muzikant dhe kompozitor. Ai ishte njeriu i parë që dha frymëzim për skenën. Bashkëshorti im ka qenë një promotor nxitës për të gjithë njerëzit e artit. Ai ka qenë ura lidhëse e suksesit në botë të disa artistëve të brezit tim.

Çfarë mund të thoni për organizmin e spektaklit me 100 njerëz të shquar.
-Do të jenë 100 personalitete nga të gjitha profesionet e mundshme dhe kjo më bën të ndihem mirë, duke iu bashkuar idesë se të gjithë ne duhet të ndihemi krenarë me sukseset që kanë arritur shqiptarët në të gjitha vendet e botës ku kanë shkuar. Mbrëmja e 23 nëntorit në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit do të jetë e gjitha e tyrja. Ishte gazetarja Flora Nikolla që ideoi së pari projektin "Albanian Excellence" dhe grupin e bashkëpunëtorëve ajo zbuloi personazhe dhe historitë e tyre. Pra në këtë mbrëmje do të ketë edhe artistë që i pëkasin moshës sime, por do te ketë njerëz të çdo fushe të mundshme ku rezulton të ketë arritje dhe sfida.

Po ju vetë do të këndoni?
-Jo këtë herë jam në një pozicion tjetër, si prezantuese e kësaj mbrëmjeje. Por do të këndojnë të tjerë veç atyre këngëtarëve që futen në listën e të suksesshmëve, që do të ndërtojnë së bashku me artistët e ftuar edhe Galanë e këtij koncerti. Pra, të premten në datën 23 Nëntor, ora 19.00, do të jetë të ftuar Anjeza Shahini, Rovena Dilo, e të tjerë dhe në një spektakël të ideuar bukur do të kemi edhe prezantimin dhe hyrje dinjitoze të 100 personazheve të "Albanian Excellence.

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi