Mariza: Një familje si e imja

Mariza: Një familje si e imja
Janë ditët e pakta të qëndrimit të saj në Tiranë sepse që kur ka filluar masterin për xhaz në Nisë të Francës, Mariza Ikonomi është bërë mysafire. Tashmë ajo ndan jetën mes vendlindjes dhe vendbanimit të ri, mes familjes dhe studimeve, një stili jete akoma të lirë, dhe angazhimeve muzikore. E nëse muzika është atdheu i Marizës, familja është vendi ku ajo "falet".

Kur vjen nga larg e kthehesh në familje çfarë mendon?
Kur jam në avion, gjithmonë mendoj për jashtëzakonisht shumë gjëra, për plane të ndryshme, shpesh krijoj ndonjë lajtmotiv që mezi pres të ulem dhe ta shkruaj. Ndërsa po kthehesha këtë herë dhe shikoja atë qiell të mrekullueshëm,mendoja ekzistencën e zotit, se sa bukur eshtë natyra, sa misteriozeështë dhe sa afër e kemi. Dhe sa bukur është që të jetosh me natyrën. Pastaj mendoja atë pjesën e aeroportit që mami më thoshte: "Do
të të pres, do të të pres!" dhe përqafimet…. Pastaj mendoja për dhomën time, për gjërat që kam lënë këtu, për pianon dhe në fund mendoja se doja të flija gjumë sepse isha e lodhur dhe kur je afër familjes çdo gjë është e qetë, si parajsë. Është vërtet gjithmonë bukur të kthehesh në familje dhe ndihem vërtet me fat që kam një familje të tillë edhe që nuk jam shumë larg në fakt. E vetmja që më mungon në këtë kthim ësh të motra ime, Ledia, e cila jeton në Amerikë.

Keni familje me disa breza, të tregojnë për rininë e tyre. Çfarë mendon për ta?
Dikur unë gjithmonë mendoja që gjyshërit…..janë nganjëherë të vjetër … thosha :"po hë mo gjyshi se e di!", "Po boll o gjyshi…". Por me të vërtetë
që është shumë bukur të flasësh me ta, të dëgjosh historitë e tyre, dhe është një kënaqësi e veçantë të rrish me ta, të kalosh kohë me ta. Të provosh gatimet e gjyshes, të dëgjosh historitë e tyre kur ishin partizanë. (qesh).. Të
duket vetja si protagoniste në një filmi, kur fillojnë të tregojnë për vështirësitë që kanë pasur. Kur i dëgjoj, mendoj: "O Zot, faleminderit edhe me kaq", sepse vërtet që kanë hasur shumë vështirësi në krahasim me ne, por kur shikon sakrificat e tyre dhe sesi ia kanë dalë mbanë është bukur.

Shtëpia çfarë është për ty?
Shtëpia është vendi për tu çlodhur, por në parim sërish shtëpia për mua është familja. Jo që çlodhesh duke fjetur gjumë, por të ndash me familjen tënde kohë, të bësh ca punë që përsëri të çlodhin edhe kur duket sikur të lodhin… Është një vend ku unë vërtet kam paqe. Në fakt këto kohë kam paqe sepse sigurisht kur kam qenë adoleshente gjithmonë kam pasur ato momentet e mia që nuk merresha vesh me mamin. Kurse këtë kohë vërtet që më mungojnë prindërit. Më pëlqen kur rri me ta në shtëpi, edhe kur nuk flasim fare dhe rrimë shikojmë një film. Thjesht më pëlqen idea që i kam pranë, më bën të ndihem vërtet në shtëpi.

Si arritët t'i kalonit problemet e adoleshencës?
Ja… kanë qenë disa kontradikta përshembull që nuk merresha vesh me mamin me babin, shpesh herë mendoja që kisha vetëm unë të drejtë, e të tjera si këto. Por tani jam e lumtur që ka kaluar sepse është shumë mirë. Atëherë nuk ishte keq, por idea që të duket sikur i di të gjitha, sikur di t'i
bësh të gjitha dhe pastaj sado që mundohesha që t'i bëja prapë përplasesha ose te mami, ose te babi, (qesh) dhe sesi ndihesha. Kurse tani e ndiej që shumë gjëra I kam bërë, por përsëri e dua mbështetjen e tyre, përsëri do të kem nevojë për ta. Çdo fazë ka bukurinë e vet, por mua më pëlqen më tepër kjo fazë që po kaloj.

Ndihet largësia në familjen tuaj?
Familja ime ëshë mësuar me këtë pjesë pasi unë që 15 vjeç kam udhëtuar gjatë gjithë kohës jo vetëm me koncertet, por kam pasur momente që
jam larguar jo vetëm për një apo dy javë, por me muaj, Sigurisht që malli bën të vetën, por gjithmonë më kanë përkrahur, artistikisht, moralisht dhe më ka pëlqyer kjo pjesë tek ata. Edhe pse kam qenë shumë larg prej tyre
gjithmonë kanë pasur besimtek unë, ashtu sikundër edhe unë tek ata. Ka qenë një marrëdhënie që më ka lënë të lire dhe kjo më pëlqen.

Si kalojnë ditët e studimeve në Francë?
Është një ditë e ngarkuar. Unë jam tip që këtu çohesha nga ora 12 ose një e drakes (qesh) kurse atje duhet patjetër të çohesha që në orën 7, pastaj në 8 të bëja mëngjesin dhe në orën 9 të dilja patjetër nga shtëpia.
Kështu edhe kur nuk kisha shkollë, sepse ndihesha shumë mirë. E filloja ditën me muzikë dhe e mbaroja ditën me muzikë. Fakti që je gjithmonë e rrethuar nga muzikantë të talentuar të bën të ndihesh vërtet shumë mirë dhe kërkon akoma më tepër. Ditët në Nisë janë shumë më ndryshe se në Tiranë. Është një vend që të jep shumë. Është deti të cilin shpesh herë unë e harroj që ekziston sepse rutina e përditshme të rrëmben dhe shpesh lodhesh, por kur gjej kohën për të shkuar atje, çdo stres, çdo lodhje, largohet vetvetiu. Është një jetë e thjeshtë, dhe kjo thjeshtësi e gjërat e vogla bëjnë diferencën. Ndihem e kënaqur sepse bëj ato gjëra që dua dhe merrem me ato që dua. Sigurisht asgjë nuk është e thjeshtë, ka edhe momente shumë të vështira që kalojnë, por që gjithmonë ia vlen.

Kur e ke ndier veten në moment të vështirë?
Sigurisht që gjuha i vështirëson pak gjërat, në një moment më dukej vetja sikur isha memece sepse gjatë gjithë kohës aty flitej dhe nuk
shpreshesha dot për shumë gjëra si në gjuhën time.

Fundjavat e tua si kalojnë?
Më pëlqen gjithmonë të marr makinën e të dal nga qyteti. Edhe në Nisë e bëj këtë. Sado që ajo është shumë e bukur, por më pëlqejnë ndryshimet.
Mërzitem shpejt po të rri në të njëjtin vend, kam qejf të ndryshoj, dhe sidomos gjatë fundjavës dua të jem diku jashtë rutinës së përditshme. Kur kam mundësi sigurisht, pasi ka raste kur duhet të punoj.

Çfarë të pëlqen më shumë nga udhëtimet?
Natyra më pëlqen shumë , kultura, muzeumet, historia e qytetit, gatimi, muzika,. Në fakt muzikën dua ta kem gjatë gjithë kohës, nga mëngjesi deri
në darkë, dhe gjithmonë shkoj atje ku ka tinguj. Por natyra është kryesoja që të bën për vete.

Kur rri në shtëpi në fundjavë çfarë bën?
Ka raste sorollatem kot. Shoh ndonjë film dhe pastaj edhe lexoj, por varet sa e lodhur jam. Kur qetësohem vetëm sorollatem, thjesht merrem me veten time.

Të pëlqen të ftosh miq?
Ftoj edhe miq, jo gjithmonë, por kam disa miq që janë shumë qejflinj të këtyre mbrëmjeve. U kam premtuar që këtë herë do të bëjmë fërgesë party (qesh). Unë do ta gatuaj për ta, sepse e kam lavdëruar shumë kuzhinën shqiptare dhe ata mezi presin që ta shijojnë.

Çfarë bën kur gjërat nuk ecin mirë?
Lutem, dëgjoj shumë muzikë të qetë, shëtis, vrapoj, kaloj kohën me familjen dhe punoj shumë.

Si është një familje ideale për ty?
Është një familje që mbështet njëri- tjetrin, që fal dashuri, që jep më të mirën… (mendohet) …. një familje si kjo që kam.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, sa cilësor është shërbimi në spitale shtetërore?



×

Lajmi i fundit

Berat Gjimshiti: Të udhëhiqja Kombëtaren ishte unike, na mungoi fati

Berat Gjimshiti: Të udhëhiqja Kombëtaren ishte unike, na mungoi fati