Report Tv ka siguruar marrëveshjen që është firmosur nga palët. Në marrëveshje theksohet se prokuroria e përgjithshme do të krijojë seksione të posaçme pranë Krimeve të Rënda dhe në prokuroritë e rretheve për hetimin e krimit dhe korrupsionit.
Personat që do të jenë pjesë e këtij seksioni do të kalojë më parë në verifikim nga SHISH-ILDKP dhe DSIK. Prokurorët do të caktohen brenda 5 ditëve, ndërsa do të bashkëpunojnë me operacionin ‘Forca e Ligjit’. Ndërsa Ministria e Brendshme do të sigurojë mjediset, mjetet dhe personelin ndihmës për prokurorët. Ministria duhet të sigurojë automjetet, por edhe sigurinë për prokurorët dhe familjen e tyre.
Arta Marku: Luftë korrupsionit në çdo nivel
Kryeprokurorja Arta Marku deklaroi se “Prokuroria e Përgjithshme dëshmon me këtë marrëveshje garancinë e plotë në zbatim të ligjeve dhe në respekt të Kushtetutës, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në çdo nivel dhe ndaj cilitdo. Me këtë marrëveshje dëshmojmë gjithashtu se do t’i përmbahemi plotësisht bashkëpunimit në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”. Hapësira e veprave penale që janë objekt i kësaj Marrëveshjeje, mbetet kompetencë lëndore e Prokurorisë për Krime të Rënda dhe prokurorive të rretheve gjyqësore me juridiksion të zakonshëm.
Objekt i veprimtarisë së kësaj Marrëveshje është hetimi i specializuar, i shpejtë, i gjithanshëm i grupeve kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në fushën e krimit të organizuar dhe, kryesisht grupet kriminale të trafikimit të narkotikëve, krimeve të rënda me ndikim të lartë shoqëror, krimit kundër korrupsionit dhe atij financiar, sekuestrimin e aseteve kriminale, me fushë veprimi brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Ne angazhohemi gjithashtu me këtë marrëveshje, për forcimin e bashkëpunimit në luftë kundër krimit të organizuar, pjestarëve të grupeve të strukturuara e organizatave kriminale, aseteve dhe të ardhurave të tyre të paligjshme, si dhe rritjen e efektivitetit në hetimet penale dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve. Ritheksojmë se Prokuroria e Përgjithshme do të ofrojë burimet njerëzore dhe infrastrukturore më të mira dhe me kapacitet maksimal për përmbushjen e misionit të kësaj Marrëveshjeje”.
Marreveshja e Prokurorise me Ministrine e Brendshme
d.b/shqiptarja.com

VIDEO










