Marrëveshja me FMN, rritje
moshës së pensionit dhe taksave

Marrëveshja me FMN, rritje<br />moshës së pensionit dhe taksave
TIRANE - Pas marrëveshjes me qeverinë shqiptare nënshkruar në Tiranë në fund të vitit 2013, Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka propozuar qeverisë të paktën 25 ndryshime në sistemin fiskal.
 
Në një raport të fundit të Fondit, publikuar vetëm një ditë më parë, i kërkohen qeverisë masa që nuk ishin parashikuar fillimisht në buxhetin e shtetit dhe paketën fiskale 2014. Kështu Fondi kërkon rritjen e moshës së pensionit në 67 vjeç për burrat nga 65 që është aktualisht dhe 65 vjeç për gratë nga 60 që është.
 
Banka Botërore aktualisht po asiston qeverinë në reformën e pensioneve, por edhe Fondi Monetar jep sugjerimet e tij për masat që duhet të ketë parasysh qeveria. Por përveç moshës së pensionit, FMN-ja ka propozuar edhe rritjen e mëtejshme të më shumë se 10 taksave. Taksim për automjetet e përdorura me rreth 50%, rritje e taksave për shtëpitë dhe ambienteve me qira me rreth 12%, apo dhe një taksë për të gjithë qytetarët që do të udhëtojnë jashtë Shqipërisë, janë disa nga propozimet.
 
Gjithashtu propozohet rritje taksash për qytetarët që blejnë mallra luksi jashtë vendit, si dhe një shtesë takse për ata persona që kanë para të depozituara në bankë dhe që marrin fitime. FMN propozon gjithashtu që të vendoset taksë edhe për telefonatat hyrëse nga jashtë.
 
Por burime nga Ministria e Financave, kanë sqaruar për "A1 Report" se marrëveshja e nënshkruar me FMN-së për marrjen e ndihmës prej 300 milionë eurosh për përballimin e borxhit, nuk kanë të bëjnë me këto rekomandime dhe nuk ndikojnë aspak në mos lëvrimin e kredisë. Gjithashtu të njëjtat burime kanë saktësuar se propozimet e Fondit janë në kuadrin e sugjerimeve për qeverinë shqiptare, e cila pritet që në Qershor të këtij viti të bëjë disa ndryshime në paketën fiskale 2014.
 
PROPOZIMET E FMN PËR NDRYSHIMET NË TAKSA:
1. Reduktim i statusit të biznesit të përjashtuar nga TVSH për shërbimet arsimore.
2. Vendosjen e një takse 2% për të ardhurat e kompanisë koncesionare të autostradës Durrës-Kukës.
3. Rritje të pagesës vjetore për makinat e përdorura me 50%.
4. Vendosjen e TVSH-së mbi ndërtesat e reja, përfshirë vlerën e tokës për ndërtimet me përqindje.
5. Zbatimin e TVSH-së për telefonatat që vijnë nga jashtë vendit.
6. Një taksë e sheshtë mbi të gjithë banorët që udhëtojnë jashtë vendit.
7. Rritje të taksave mbi të ardhurat nga interesat, aksionet, dividentët, qiratë nga 10-12%.
8. Rritje të taksave mbi të ardhurat nga pagesat për pronësinë intelektuale nga 10-12%.
 
FMN: INVESTIMET NË BORXHIN E QEVERISË, RREZIK PËR BANKAT
Në Raportin e Sistemit Financiar të Shqipërisë për 2013-ën, që është publikuar dje nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, lajmërohet se borxhi publik afatshkurtër i qeverisë paraqet një risk për financat në vend. Sipas Fondit, sektori bankar sot është më i ndjeshëm nga goditjet, për shkak se bankat po mbajnë sasi të mëdha të obligacioneve qeveritare, çka mund të shkaktojë humbje të ndjeshme për to në rast se zhvlerësohet borxhi publik.
 
Bilancet e bankave janë përkeqësuar si rezultat i një rritjeje të shpejtë të kredive me probleme. Lidhja e fortë e institucioneve financiare me borxhin e qeverisë duket se paraqet sfida të reja për këtë sistem. Ndërsa këto investime kanë ndihmuar në diversifikimin e tregut të letrave me vlerë të qeverisë, ato janë të mbikëqyrura në mënyrë joadekuate dhe klientët po investojnë këtu dhe jo më depozita.
 
Duke pasur parasysh mungesën e një tregu sekondar funksional për obligacionet e qeverisë, fondet përballen me rrezik të lartë të likuiditetit. Për më tepër, duke pasur parasysh lidhjet e ngushta me bankat, kjo mund të çojë në një presion për rënien e depozitave. Dobësitë në banka janë konfirmuar nga stress-teste. Në skenarët ekstremë makroekonomikë, bankat pësojnë humbje nga kreditë, tregu dhe borxhi publik, dhe të paktën gjashtë banka (që përfaqësojnë 21 për qind të aseteve të sistemit bankar në Shqipëri) mund të gjenden në mungesë kapitali.
 
Testet e ndjeshmërisë gjithashtu tregojnë se një zhvlerësim i lekut do të përkeqësonte cilësinë e portofolit të huave dhe se rreziku do të rritej. Për të përmirësuar situatën, FMN këshillon qeverinë që të ulë nivelin e kredive të këqija në sistem, të pakësojë rreziqet nga investime në letrat me vlerë, të ulë ekspozimin e ekonomisë ndaj euros dhe të përmirësojë mbikëqyrjen e institucioneve financiare jo-banka.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Shkrumbohet nga flakët magazina në Kurbin, Report Tv sjell pamjet! Shtëllunga të mëdha tymi në zonë

Shkrumbohet nga flakët magazina në Kurbin, Report Tv sjell pamjet! Shtëllunga të mëdha tymi në zonë